Krasniqi: Nisma Është për Qytetarët e Jo për Pushtetarët

Nisma për Kosovën ka shpalosur programin e saj qeverisës për qytetarët e Drenasit për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, duke premtuar një mirëqenie më të mirë për banorët e saj, zhvillim të ekonomisë dhe përmirësim të shërbimeve shëndetësore në tërë komunën.

Kandidati i Nismës për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj tha se e kupton një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve që janë të zhgënjyer dhe të cilët nuk dalin në votime. Ata, sipas tij, kanë arsye që të jenë indiferentë, pasi e ardhmja e tyre është në rrezik, por kërkoi që tani kjo të ndryshojë dhe këtë ta bëjnë më 22 tetor.

“Tani ka ardhur koha dhe është rasti i fundit që ju me kujdesin më të madh, me kujdesin e juaj ta bëni ndryshimin dhe t’i hapni rrugë mirëqenies suaj dhe të ardhmes së fëmijëve tuaj. Ju më 22 tetor keni mundësi të votoni për kandidatin tuaj dhe kryetarin e komunës dhe të votoni për njerëzit që kanë integritet dhe që janë dëshmuar”, tha Xhemajlaj.

Kurse, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi tha se Nisma socialdemokrate është për Drenasin dhe qytetarët e Drenasit.

Ai theksoi se qeverisjes së Drenasit i duhen ndryshimet e domosdoshme dhe për këtë ndryshim është Nisma.

“Koha për Nismën po vjen, Nisma po vjen për qytetarët e Drenasit dhe jo për pushtetarët”, tha Krasniqi duke kërkuar votën për Nismën dhe kandidatët e saj.