Delegacioni i Parlamentit Europian bashkë me kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjatë vizitës në Kishën e Llapushnikut. Foto: Ramiz Lladrovci/Facebook

Shpërthejnë polemikat e ofendimet pas vizitës së delegacionit europian në Drenas

Një vizitë e një delegacioni të Parlamentit Europian në komunën e Drenasit ka nxitur polemika ndërmjet drejtuesve fetarë muslimanë dhe opozitës në njërën anë, dhe drejtuesit të komunës, në anën tjetër.

Përzgjedhja e kishës së Llapushnikut si një nga vendet që do t’i vizitonte Zëvendëspresidenti i Parlamentin Europian, Rainer Weiland, në Drenas ka shtyrë imamin e xhamisë së Drenasit, Osman Musliu, dhe kryetarin e degës së NISMA-s në Drenas, Isa Xhemajlaj, të reagojnë ndaj kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci.

Ata janë shprehur se qëllimshëm është shmangur vizita në xhami.

“Në një vend ku pothuajse të gjithë qytetarët janë shqiptarë myslimanë, zyrtarët e komunës bëjnë një agjendë provokative duke vizituar bjeshkët e Llapushnikut dhe “objektin e fesatit”, në atë vend. Ndërsa vizita në xhami neglizhohet qëllimisht”, ka shkruar mulla Osmani duke e akuzuar komunën për “agjendë provokative” dhe duke e quajtur kishën në Llapushnik si objekt të ndasisë.

Ai shtoi se fakti që nuk ka ndodhur vizita lidhet me inatin ndaj tij dhe deklaroi se një vizitë në xhami do të lidhej me të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ndërkaq, ashpër ka reaguar edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Llladrovci, i cili tha se ky mulla Osmani ka shpifur.

““Dijetarëve” si Mulla rrencit dhe “Profesorit të tesbihëve”, ju rekomandoj të bëjnë ndonjë “sevap” dhe bëhen gati për ramazan”, ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, i pari i NISMA-s në Drenas, Isa Xhemajaj. ka reaguar duke thënë se, nga protokolli, është anashkaluar qëllimisht komuniteti mysliman i Drenasit.

“Protokolli që kishte bërë Komuna për vizitën e mysafirit në Kishën e Llapushnikut ishte i gabuar sepse në këtë formë u anashkalua komunitetin mysliman. Jo rrallë herë është thënë se populli shqiptarë është një ndër popujt që është dalluar ndër shekuj për tolerancë fetare dhe kjo është një e vërtetë e pa kontestueshme dhe është një vlerë e shoqërisë tonë”, ka shkruar ai.

Lladrovci në po të njëjtin postim në Facebook ka reaguar ashpër edhe për Xhemajlajn dhe asambleistët e tjerë që kanë reaguar.

“Për Kiqinën (AAK), Vv, Petritin, Xhavitin, Isën: Një budallë e hedh gurin në bunar, njëqind të mençëm nuk mund e nxjerrin”, ka shkruar ai.