isa Xhemajlaj - Foto: Atdhe Mulla

Zëvendësministri Xhemajlaj reagon pas lirimit të motrës së tij

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ka reaguar pas lirimit nga aktakuza të motrës së tij, Hyrije Thaçit.

Ai tha se ka qenë i bindur në pafajësinë e motrës së tij.

“Sot gjykata vendosi drejtësinë kundër shanatzheve dhe montimeve që tu bënë tash e një kohë. Unë kam qenë i bindur në pafajsinë tënde, sepse prindërit na mësuan që të besojmë në Zot dhe të punojmë e jetojmë me Nder”, ka shkruar Xhemajlaj në profilin e tij në “Facebook”.

Isa Xhemajlaj ka shkruar se “po jetojmë në kohë ku gjithçka mund të ndodhë nga intriguesit, injorantët dhe servilët që po duan të mbulojnë krimin dhe korrupcionin me njerz të ndershëm”.

“Ata që sot po hapin gropa për të tjerët jam i sigurt që nesër do të bien vet në to. Pavarësisht pengesave Ne do të vazhdojmë të punojmë për të mirën e vendit”, përfundoi ai.

KALLXO.com, ka shkruar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin në rastin e zyrtareve të Komunës së Drenasit, i cili ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Zyrtarët e Komunës së Drenasit akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të një mbindërtimi në këtë komunë.

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti shpalli aktgjykimin me anë të të cilit Hyrije Xhemajlaj Thaçi u lirua nga aktakuza, ndërsa shefit të drejtorisë së Inspeksionit Halim Vrellakut gjykata i shqiptoi 6 muaj dënim me kusht, për një vit periudhë verifikuese.