Ilazi: Do ta Bëjmë Publike Listën e Uzurpatorëve

Kandidati për kryetar të Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, nga PDK, në Debat Pernime, tha se do të publikojë në web-faqen e Komunës të gjitha vendimet që i merr Komuna.

“Sa i përket të gjitha kritereve, sa i përket kritereve për shfrytëzim të komunës janë të rregulluara me ligj. Sa i përket subvencioneve për bujqësi e kemi një rregullore e cila paraqet kriteret. Ato publikohen vazhdimisht, pas 5 ditësh sepse është edhe afati i ankesave. Për kulturë kemi marrë vendim që kryetari pas vendimit të marr i publikon të gjitha kërkesat. Do të bëjmë publike në web-faqe në tremujorin e parë, listat e uzurpatorëve”, tha Ilazi.

Kandidati tjetër për kryetar të Komunës, Basri Kodra, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se do të përdorë përvojën e Prishtinës që Kaçaniku të ketët një administratë transparente.

“Ne do të përdorim përvojën e Prishtinës në administratë, që të bëjmë sa më transparente administratën. Në tremujorin e parë, do t’i publikojmë në web-faqen e komunës listat e kritereve dhe afateve për dhënien e pronave komunale, kriteret për subvencione në bujqësi, kritereve për dhënien e subvencioneve në bujqësi. Gjitha vendimet e komunës do të publikohen brenda 9 muajve”, tha Kodra.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, kandidati i PDK-së, Besim Ilazi doli i pari me 40,37% ndërsa kandidati i VV-së Basri Kodra i dyti me 21,09%.