Vjosa Osmani krahason tubimin e mbrëmshëm me tubimet në kohën e Ibrahim Rugovës

Kandidatja për Kryeministre, nga Lidhja Demokratike e Kosovës Vjosa Osmani, ka deklaruar se mërgata kosovare do të ketë respektin që meriton.

Ajo para qytetarëve të Klinës madje tubimin e mbrëmshëm në Prishtinë e ka krahasuar me tubimet të cilat jaë organizuar në kohën e ish- Presidentit Ibrahim Rugova.

Këto deklarata Osmani i ka bërë në një tubim me qytetarë në Klinë gjatë ditës së sotme.

Kujtojmë se që nga dita e djeshme ka filluar zyrtarisht edhe fushata e partive politike për zgjedhjet e 6 tetorit.

“Për 20 vite nuk ia kemi dhënë mërgatës tonë vlerësimin që e kanë merituar. Një prej pjesës më të lavdishme të punës sonë, është diaspora e LDK-së, janë mërgata jonë. Ata jo vetëm që do ta kenë respektin që meritojnë, por do të kenë mundësi të reja për të investuar në shtetin e tyre, për të cilin derdhën aq shumë mund dekada me radhë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë edhe se mërgata ka kontribuuar në sensibilizim, financim dhe çlirimin e Kosovës, nga të katër anët e globit, Gjermania, Zvicra, Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera.

Ajo madje foli edhe për tubimin e mbrëmshëm në Prishtinë, të cilat i ka krahasuar me tubimet që i ka organizuar LDK gjatë kohës së ish- Presidentit Ibrahim Rugova.

“Ky tubim mi kujtoi takimet mobilizuese që i organizonte diaspora jonë në Evropë dhe Amerikë për të përkrahur Kosovën”, pohoi Osmani.

Në tubimin në Klinë, Osmani ka thënë edhe se me gjithë përpjekjet e disa partive për të blerë vota, nuk ka para që e blen vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë vendosur t’i besojnë LDK-së në fitoren e saj më 6 tetor.

“Ne duhet të jemi vigjilent që këtë vullnet kaq të qartë të qytetarëve të Kosovës për ta përkrahur LDK-në, ta mbrojmë. Duhet ta mbrojmë me çdo kusht, sepse ka parti që mendojnë se munden me e ble vullnetin e qytetarëve. Ka ardhur koha me ju thanë që nuk ka para që e blen këtë vullnet. Nuk ka asnjë kërcënime prej tyre që e blen dhe e ndal këtë vullnet. Nuk ka asgjë dhe asnjeri që mundet me e ndal fitoren e LDK-së”, ka thënë Osmani.