Prokuroria: KQZ duhet të dorëzojë kallëzim penal ndaj komisionerëve të dyshuar për keqpërdorim

Prokuroria e shtetit është duke vëzhguar për së afërmi procesin e rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve që prej ditës kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi për rinumërimin e 530 vendvotimeve të enjten e kaluar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se pas ftesës së kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, prokurori kompetent së bashku me hetuesit nga Policia e Kosovës kanë dal në vendin e ngjarjes.

“Ju njoftojmë se menjëherë pas thirrjes për hetime që ka bërë kryetarja e KQZ-së, Znj. Valdete Daka, më 17.10.2019, nga ora 15:00 deri në ora 17:00,  prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ka vizituar Qendrën e numërimit të votave , QNR-në në Fushë Kosovë, nën përcjelljen e  zyrtarëve hetues nga Policia e Kosovës, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, për të cilën edhe kemi dalë me një komunikatë për media”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Prokuroria tha tutje se  KQZ është e obliguar t’i paraqes kallëzime penale ndaj komisionarëve që bëjnë shkelje.

“Po ashtu, ju njoftojmë se KQZ-ja  ka për obligim që të paraqes kallëzime penale në prokurori, ndaj të gjithë komisionerëve të cilët gjatë procesit të numërimit kanë kryer vepra penale kundër të drejtës së votimit”, thuhet tutje në përgjigjen e Prokurorisë.

Ky institucion i drejtësisë njoftoi po ashtu se po hetojnë edhe parregullsitë në ditën e 6 tetorit.

Sipas Prokurorisë, gjatë raste janë duke u hetuar ndaj gjashtë persona për veprën penale kundër t drejtës së votimit.

“Kurse, sa i përket rasteve që kanë të bëjnë me ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke i zhvilluar hetimet për gjashtë (6) raste kundër gjashtë (6) personave, që kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtës së votimit”, ka deklaruar Prokuroria.

Ndryshe, KALLXO.com është duke raportuar në vazhdimësi për parregullsitë dhe gabimet që kanë ndodhur në numërimin e votave.

Në disa prej qendrave të votimit në disa prej qyteteve të Kosovës, pas rinumërimit të votave kanë ndodhur shpërpudhje në rezultatet e votave ndaj kandidatëve për deputetë.

Lexo KËTU të gjitha raportimet mbi rinumërimin e vendvotimeve.