Policia e Kosovës po heton shkeljet në Ministrinë e Kulturës  

Njësia e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës është duke hetuar shkeljet dhe parregullsitë e evidentuara gjatë realizimin të projekteve kapitale në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë se ministria ka dërguar në polici dhe prokurori një numër të kontratave për investime kapitale, të cilat dyshohet për parregullsi.

Çeku, gjatë raportimin në Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i cili  ka shqyrtuar Raportin e auditimit të performancës “Menaxhimi i kontratave publike të ndërtimit”, ka deklaruar se MKRS është duke bërë skanimin e gjitha projekteve kapitale dhe në momentin që vërehen parregullsi ato do të dërgohen në organet ligjzbatuese.

“Deri në këtë moment të skanimit të brendshëm ne nuk kemi asnjë projekt që është realizuar si duhet, të paktën diçka në procedurë është shkelur, është tejkaluar ose nuk është marrë parasysh. Njësia e Krimeve Ekonomik e ka vizituar MKRS-në dhe ka nis proceduar për një projekt specifik, por nuk e dimë deri në cilën fazë të procesit është nëse ka vazhduar”, ka thënë Çeku, para anëtarëve të komisionit.

Ai ka thënë se 12 kontratave për investime kapitale u kanë skaduar afatet kohore në kontratën bazë.

Por, Çeku ka lënë të kuptohet se ende nuk ka informata të plota lidhur me atë se çfarë ka ndodhur me investimet kapitale në MKRS.

“Nga sfidat kryesore në ministri është sigurimi i informacionit të saktë dhe të plotë nga administrata, menaxherët e kontratave nga organi mbikëqyrës dhe nga stafi tjetër, njësitë përkatëse të ministrisë, të cilët nga një herë edhe pa qëllim, nuk na sigurojnë dhe nuk na ofrojnë informata e saktë në lidhje në një numrin të madh të investimeve kapitale të MKRS-së”, ka thënë Çeku.

Ai ka folur edhe për memorandumet e bashkëpunimit të MKRS-së me komunat, për të cilët ka thënë se është në pritje për të marrë informatat e sakta.

“Një numër të atyre memorandumeve detyrimisht duhet t’i ndryshojmë-plotësojmë sepse një pjesë e madhe e punimeve për ato projekte janë përfunduar dhe duhet t’i finalizojmë. Nuk mund t’i lëmë ashtu për gjysmë, ndërsa me memorandumet ku nuk ka projekte, e nuk ka kontrata, mendoj se duhet t’i ndërpresim deri në momentin që mjetet t’i rialokojmë për t’i përfunduar ato që janë të hapura”, ka thënë Çeku, gjatë raportimit në Komisionin e Kuvendit të Kosovës për Mbikëqyrjen e Financave Publike.