Kadri Veseli - Foto: Facebook

Veseli Sheh Rezultat Pozitiv për PDK-në

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se do të presin numërimin e çdo vote për ta çuar në vend vullnetin e plotë qytetar.

Për këtë, ai u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, si dhe partive politike, që të kontribuojnë për një përfundim demokratik të këtij procesi.

“Jam tejet krenar me kandidatët tonë në secilën komunë, të cilët bënë një fushatë dinjitoze dhe me programe konkrete”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në “Facebook”.

PDK sipas tij ka numrin më të madh të asamblistëve dhe “ka dalë fituese në raundin e parë”, duke shtuar se presin numërimin e të gjitha votave në raundin e dytë.

Po ashtu, Kadri Veseli ka theksuar se PDK mbetet lidere në shumë ndryshime, në sjelljen e figurave të reja në skenën politike, njerëz profesionistë, si dhe për hapësirën që u ka dhënë grave.

“Natyrisht, kemi ende shumë punë para vetës, që janë punë në shërbim të vendit, për një qeverisje më të mirë, të pastër kudo në Kosovë”, ka shtuar ai.

“E rëndësishme dje ishte se edhe një herë dëshmuam demokraci të lartë, kulturë europiane në një proces zgjedhor. Për këtë, urime secilit!”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, në balotazhin e zgjedhjeve lokale që u mbajt dje, PDK ka humbur pozitën e kryetarit në Prizren, Klinë, Rahovec dhe Vushtrri.

20 Nëntor 2017 - 14:18

Naser Sertolli 20/11/2017 - 14:18
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend