Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Si i komentojnë kryetarët e komunave debatet televizive?

Më shumë hapësirë kohore në debate televizive, debate më të konstruktuara, më pak zhurmë e fyerje… Këto ishin disa nga kërkesat e kryetarëve të komunave për mediat të cilat organizojnë debate televizive zgjedhore.

Agim Aliu, kryetar i Ferizajt, Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit, Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës në emisionin ‘Kallxo Përnime’ kanë treguar përvojat e tyre me debatet televizive zgjedhore.

Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës, ka thënë që fillimisht pati vendosur të mos dalë në debate, por sipas rekomandimeve të kolegëve, ky vendim do t’i ndikonte në vota.

“3 muaj para fushatës, mendimi ka qenë që mos me marrë pjesë në asnjë debat politik e as mos me dalë në fushatë në asnjë fshat. Mirëpo sipas disa kolegeve më thanë që nëse nuk del në debat dhe nuk shkon  me lyp votën atëherë në Suharekë kanë me të ndëshkuar”, tha ai.

“Jam detyruar, përndryshe s’kisha pasë qejf me ardhë në debat asnjëherë, nëse një kandidat punon 4 vite, munden me ardhë ata me shpalos çka kanë me bo, mirëpo sikur debatet këto ditë çka ndodhë, jo”, theksoi ai.

Shpejtim Bulliqi, kryetar i Podujevës, tha që nuk ka pasur asnjë mundësi të ballafaqohet me kundërkandidatin e tij për t’i ballafaquar programet.

“Unë në rundin e dytë kam qenë shumë i hendikepuar për faktin se kundërkandidati im s’ka pranuar asnjëherë të dalë në debat publik. Unë mendoj që është dobësi sepse për mos me ardhë ai që është duke qeverisë në debat arsyetohet disi, por mos me ardhë ai që është prej opozite edhe do me marrë  pushtet, mendoj që është hendikep për atë kandidat”, tha ai.

Agim Aliu, kryetar i Ferizajt, tha që qytetari është shumë politik dhe shumë digjital edhe kështu është bërë nga debatet.

“Do të kisha dashur që të ketë strukturim të debateve, sepse në debate shpesh jemi në vështirësi nga ajo që unë shoh, unë mendoj që ajo e penalizon qytetarin por i penalizon edhe kandidatët sepse besoj që do të duhej të strukturohej debati në mënyrë që vërtetë të ketë ofertë të qartë, por edhe të dëgjohej qartësisht ajo çfarë ka për t’u thënë, në mënyrë që kjo ta shtojë sigurinë e vendimmarrjes te qytetari”, tha ai.

Sipas tij edhe hapësira kohore që u jepet kandidatëve është shumë e vogël për të trajtuar të gjitha temat në mënyrë të detajuar.

“Shumë nga ne si kandidat po kemi kohë të kufizuar dhe po kemi shumë debate, dhe duke i pasur këto, ne vazhdueshëm i përmendim të njëjtat gjëra, madje e bëjmë një lloj vrapi se si t’i themi të parët ato gjëra. Nëse do të kishim një ristrukturim të debatit 2 orë, dhe brenda ato dy orëve të flasim vetëm për arsimin, shkencën, kulturën dhe sportin, besoj që do të ishte më e qartë për qytetarin”, tha ai.

“Nëse një 1 orë e gjysmë debat me kohë të kufizuar është e pamundur që të shpaloset programi dhe është e pamundur që qytetari të marrë atë që duhet”, shtoi ai.

Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit, tha se debatet janë vlerë e shtuar e demokracisë dhe janë të domosdoshme.

“Përveç ristrukturimit unë shoh edhe mirë menaxhimin e debateve, sepse ato duhet të menaxhohen për nga koha. Mirë menaxhim është koha e ndarjes së drejtë mes pjesëmarrësve, moslejimi i fyerjeve dhe daljes jashtë kornizave të temave që përcaktohen paraprakisht, pajtueshmëria e përbashkët për pjesëmarrje në debat, dhe jo tendenca për të pruar penalistë në debat”, tha ai.

Ahmeti tha që shumë shpesh debatet shkojnë në fyerje mes kandidatëve sepse nuk menaxhohen sesi duhet.

“Kohëve të fundit, debatet më së shumti kanë qenë të karakterit zhurmues e të fyerjeve e të shpifjeve sesa i karakterit konfroontues të ideve me të cilat do të synon të marrë një pozicion të caktuar”, tha ai.

Në emisionin ‘Kallxo Pernime’ sonte përballë Jeta Xharrës janë të ftuar kryetarët që kanë marrë edhe nga një mandat në krye të komunave.

Agim Aliu, kryetar i Ferizajt, Imri Ahmeti kryetar i Lipjanit, Bali Muharremaj kryetar i Suharekës dhe Shpejtim Bulliqi kryetar i Podujevës do të flasin për rezultatet e zgjedhjeve, do të tregojnë ‘recetën’ për të fituar në një komunë, si dhe do të flasin për problemet e komunave që udhëheqin.