Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse PDK e humbi garën në Shtime, Klinë e Dragash?

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit PDK ka humbur garën në dy komuna ku qeveriste, e në balotazhin e 14 nëntorit edhe një komunë tjetër. Kështu, PDK humbi Shtimen, Dragashin dhe Klinën.

Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka dhënë disa arsye pse PDK humbi në këto komuna.

“Ka qenë një rezultat i ngushtë në balotazh. Naim Ismaili ka një përvojë të gjatë në udhëheqje, që nga paslufta. Ta them të drejtën, kur e kam pa rezultatin aq ngusht, ka qenë sfiduese sepse kryetari i komunës është zor që ta ngritë numrin e votave në rundin e dytë të garës”, tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Hamza tha se përkrahja nuk i mungoi kandidatit të PDK-së në Klinë por sipas tij diferenca në vota e bëri të veten.

“Nuk besoj që ka munguar përkrahja e qendrës, ka pasur vizita nga kryetari i PDK në Klinë. Mendoj që në rundin e parë u krijua një diferencë e madhe që ka qenë vështirë me u rikthy”, tha Bedri Hamza.

Ndërsa, për komunën e Dragashit, ku PDK qeverisi në mandatin e fundit, Hamza tha se dallimin e bënë votat e diasporës.

“Dragashi është interesant, kryetari e ka fituar me votat rezidente. Unë mendoj që Ligji për zgjedhjet duhet të ndryshohet sepse nëse në Kosovë votimi famijlar është ndaluar atëherë në diaporë kjo është krejt e lirë, mund të them, livadh”, deklaroi ai.