Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

"Receta" për të fituar pa balotazh, flasin Imri Ahmeti, Agim Aliu e Bali Muharremaj

Agim Aliu, kryetar i Ferizajt, Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit, Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës në emisionin ‘Kallxo Pernime’ kanë treguar ‘recetën’ se si mund të fitohet një komunë pa balotazh.

Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i cili ka marrë një mandat të dytë në krye të Ferizajt, ka thënë se kryetarët duhet t’i mbajnë premtimet e dhëna.

“Secila komunë i ka specifikat e veta, dhe mënyrat e veta, por sigurisht që receta është që të jesh i përgjegjshëm, të kesh partneritet me qytetarin, të jesh mbajtës i fjalës, respektivisht mbajtës i premtimeve. Duhesh të punosh vazhdueshëm në të gjithë mandatin”, tha Aliu.

Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), fitoi mandatin e tretë në krye të Lipjanit në zgjedhjet e 17 tetorit. Sipas tij vetëm me punë mund të arrihet një gjë e tillë.

“Koncepti i vetëm i imi mendoj që duhet të jetë vetëm puna, puna dhe përgjegjësia në punë, qytetarët dinë ta vlerësojnë këtë”, tha ai.

Për Bali Muharremajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili fitoi mandatin e dytë në Suharekë, kryetarët duhet të punojnë në terren.

“Për me i fitu zgjedhjet nuk ka mundësi për dy muaj fushatë, por duhet punuar katër vite pa ndërprerë. Kryetarët e komunave nuk janë politikan, nuk janë diplomat, ata janë menaxher, e menaxhojnë komunën dhe duhet me i përcjellë punët sa më shumë në terren”, tha ai.

Rundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë është mbajtur më 17 tetor. Ferizaj, Lipjani, Suhareka janë disa nga komunat ku në rundin e parë janë zgjedhur kryetarët.

Ndërsa dje në 21 komuna është mbajtur rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave.