U ulen dënimet të akuzuarve për terrorizëm në rastin e ndeshjes Shqipëri - Izrael
Rreth pesë muaj pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës i gjeti fajtor dhe shqiptoi mbi 35 vjet burg ndaj të akuzuarve për vepra që ndërlidhen me terrorizëm në rastin e njohur për përgatitje të sulmit ndaj kombëtares dhe tifozëve të Izraelit, Gjykata e Apelit është treguar më zemërgjerë me të akuzuarit e këtij rasti duke u ulur dënimet.
Instanca e dytë e drejtësisë i ka gjetur si të bazuara dhe i aprovuar ankesat e 7 të akuzuarve akuzuarve teksa ka refuzuar vetëm ankesën e njërit prej tyre dhe gjithashtu edhe ankesën e Prokurorisë.
Të akuzuarit Visar Ibishi që nga Themelorja ishte dënuar me dënim unik prej 10 vjetëve i është ulur dënimi në 8 vjet burg, të akuzuarit Burim Istrefi dënimi i është ulur nga 3 vjet në 2 ndërsa nga një vit burg u është hequr të akuzuarve Leutrim Vojvoda dhe Flamur Gashi.
Vojvoda por edhe Gashi me aktgjykimin e Gjykatës Themelore ishin dënuar me nga 5 vjet burg.
Ulje të dënimit por në masë më të vogël përfitoi edhe Lulzim Gashi i cili nga Themelorja ishte dënuar me 6 vjet burg ndërsa Apeli i hoqi 9 muaj burg.
Përfitim më të madh nga Gjykata e Apelit ka përfituar Leotrim Musliu të cilit Apeli ia ka zvogëluar dënimin me burgim, nga tre vjet e gjashtë muaj burgim në dy vjet.
Instanca e dytë e drejtësisë në Kosova ka përmendur si rrethana lehtësuese që u vlerësuan për zbutjen e dënimeve faktin se të akuzuarit nuk kanë qenë të dënuar më parë, disa nga ta nuk janë të punësuar dhe janë familjarë dhe po ashtu edhe gjendjen ekonomike e kanë jo të kënaqshme.
Gjykata Themelore e Prishtinës më 18 maj kishte shpallur aktgjykimin dhe kishte gjetur fajtor të akuzuarit e këtij rasti.