Transkripti i Deklaratave të Imamit Zeqirja Qazimi në Gjykatë

Në seancën e sotme gjyqësore në të cilën të akuzuar janë imami i xhamisë El-Kudus në Gjilan dhe pesë persona të tjerë, i akuzuari kryesor Zeqirja Qazimi dha dëshminë e tij.

Në deklaratën e tij, Qazimi që akuzohet për terrorizëm, foli për ligjëratat e tij në xhami dhe jashtë xhamisë në Kaçanik, për njoftësinë e tij me Lavdërim Muhaxherin dhe Ridvan Aqifin, dy kosovarët më në zë në luftën e Sirisë, për atë se çafër ligjërata mbante ai…

Më poshtë është një tranksript të të gjitha pyetjeve dhe përgjigjeve gjatë kësaj dëshmie.

Marrja në pyetje nga avokati Murat Demolli

Kur jeni emëruar si iman në El Kudus në Gjilan?

Atë detyrë e kam kryer prej se jam kthyer nga Egjipti por me data nuk më kujtohet por është vendimi i Bashkësisë Islame të Kosovës.

A jeni emëruar sipas rregullave të Bashkësisë Islame?

Po jam emëruar sipas kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës.

Gjatë punës si imam çka keni ligjëruar në xhaminë e juaj ?

Ligjëratat e mia edhe si imam edhe në jetën e përditshme bazohen në Kuran dhe synetin e saktë të dërguarit s.a.

A keni ligjëruar edhe për organizatën Rinia Islamike?

Po kam ligjëruar në disa vende në Kaçanik por nuk ua di emrin, aty gjithmonë kam ligjëruar në atë që kam folë ka bazë në Kuran dhe synet dhe unë qëndroj plotësisht prapa asaj që e kam thënë. Ligjërimet në Kaçanik më shumë kanë pasur të bëjnë me komentimin e Kuranit.

Përveç jush, a ka pasur edhe hoxhallarë të tjerë në ligjëratat ku ju keni qenë pjesë?

Kur kam qenë unë kam qenë vetëm unë.

A keni pranuar ndonjë vendim nga Bashkësia Islame pasi që ka filluar lufta në Siri?

Po e kam pranuar një qarkore nga Bashkësia Islame në të cilën flitet për luftën në Siri, rëndësinë e tokës së Shamit dhe të tjera dhe besoj që ajo është tek ju diku dhe mund të gjendet.

Sipas jush, si studiues i Kuranit a mund ta sqaroni se çka është Xhihadi?

Fjala Xhihad ka më tepër se 14 kuptime por përkthimi është përpjekje – angazhim për të mirë.

Çka nënkupton fjala Shehid për ju?

Ka disa kuptime por kuptimi kryesor është martir, dëshmor, ose ai që vritet duke mbrojtur fenë e tij, mendjen e tij, pasurinë e tij, nderin e tij, është edhe një por nuk po më kujtohet.

A e ke ndihmuar dikë për të shkuar në Siri?

Jo askënd në asnjë formë nuk e kam ndihmuar për të shkuar në Siri.

Në një deklaratë thuhet se dikush i ka marrë nga ti 2,500 euro për të shkuar në Siri?

Nuk është e vërtetë dhe unë nuk i kam dorëzuar askujt 2,500 euro.

Liridon Kabashi ju ka dërguar një SMS sipas Prokurorisë nga Siria dhe ju nuk i keni kthyer përgjigje, për çfarë arsye?

Për arsye se ka kërkuar nga unë atë që nuk është në mundësitë e mia.

A ke pasë ndonjë shok me mbiemrin Kabashi?

Po gjatë studimeve kam pasur disa shokë me mbiemrin Kabashi.

Lidhur me një SMS që është dërguar se gjoja te ti kanë qëndruar 3 telefona Samsung për t’i dërguar në Siri?

Nuk është e vërtetë se i kam pasur tre telefona. Unë nuk e kam kuptuar se për çka bëhet fjalë sepse nuk ka qenë diçka që lidhet me mua dhe i kam kërkuar personit që më ka dërguar mesazh që të vijë dhe të më sqarojë direkt se për çfarë bëhet fjalë.

A keni postuar ndonjëherë në youtube ligjëratë tuajën?

Unë nuk kam postuar por ata që kanë dëgjuar kanë postuar dhe kushdo ka mundur ta bëjë sepse kanë qenë publike.

A keni qenë për vizitë në Dubai, sepse në shkresat e lëndës shkruan se një person e ka bërë pagesën për kthim?

Unë e kam pasë biletën kthyese për Dubai dhe kohëzgjatja ka qenë 20 deri 25 ditë besoj dhe brenda kësaj periudhe kam pasë probleme shëndetësore dhe jam detyruar të kthehem para kohe, rezervimi për t’u kthyer kushtojke më shtrenjtë se me marrë biletë të re dhe para s’kam pasë të mjaftueshme dhe kam kërkuar nga dikush në Kosovë të ma bëjë pagesën dhe kjo ka ndodhur. Kthimin e kam bërë në Shkup, jo në Prishtinë për shkak të çmimit më të lirë.

A  keni pasur një llogari në bankë?

Po por e kam pasur por vetëm për fermë të deleve e kam pasur atë llogari dmth për veprimtari bujqësore.

Keni thënë se gjaku i kufarëve është gjaku më i mirë për ne. Çfarë keni dashur të thoni?

Kjo është një pjesë e një ligjëratë ku e kam cituar një shok të Pejggamerit  a.s  me dhe e cila është shënuar nga një dijetar në librin e tij që quhet “Fillimi dhe mbarimi” (në gjuhën shqipe) këtë e kam cituar për shkakun se dikush nga hoxhallarët thoshte se kjo është një gënjeshtër, dhe unë e kam thënë këtë sepse e ka thënë një dijetar dhe e kam lexuar në librin që e thash nga dijetari dhe kaq.

Është gjetur një listë me disa emra ku në mesin e tyre ka qenë edhe emri juaj dhe a mund të na sqaroni se çka ka të bëjë kjo listë?

Lista është një peticion për lëndën fetare nëpër shkolla dhe lejimin e bartjes së shamisë dhe sigurisht e kam nënshkruar edhe unë.

A ke qenë ndonjëherë në shoqatën “Nektari” në Kaçanik ?

Kam qenë disa herë në Han të Elezit me ligjëru dhe besoj që “Nektari” është ashtu dhe nuk e di saktë se çfarë kam ligjëruar por sigurisht që janë në internet.

Shefki Karaqi ju ka pyetur për ditën e zgjedhjeve apo votime çfarë mendoni ju për këtë?

Ashtu siç kam thënë atëherë mendoj edhe tani se sipas programeve që i kemi në dispozicion nuk ja vlen të votohet.

Cilat kanë qenë burimet tuaja financiare?

Janë disa. Fillimisht kam qenë imam, kam delet, fermën e deleve dhe të pulave.

Sa telefona personalë i keni pasur?

Një telefon te tipit Samsung i cili ka qenë pa kamerë dhe pa asnjë opsion të telefonave të mençur.

Pyetjet e Prokurorit Special Suad Kuraja për Zeqirja Qazimin

A e njihni Lavdrim Muhaxherin?

Po e njoh.

A e njeh Lavrdimin para se të arrestoheshit?

Po e njoh më herët, ndoshta jo shumë më herët por e njoh.

A e njeh Ridvan Aqifin?

Po e njoh hoxhën e nderuar Ridvan Aqifi.

A e njeh atë para se të arrestohej.

Po.

Lidhur me listën që kanë qenë disa emra dhe i akuzuari u përgjigj se ajo ka qenë për edukate fetare dhe shami, a je ti në njohuri se në atë lista kanë qenë disa persona që janë vrarë në Siri?

Në atë listë e njoh vetëm një person, Isa Rizvanollin, një i moshuar dhe të tjerët aspak nuk i njoh.

A e njeh Vilson Halilin?

Po e njoh.

A e njeh Egzon Latifin?

Po e njoh edhe atë.

A e njeh Hafiz Ahmetin?

Po edhe atë e njoh.

A e njeh Patriot Matoshin tani i ndjerë?

Po e njoh edhe atë.

Pyetjet e Trupit gjykues

A e ke pasur kontakte telefonike me Lavdrim Muhaxherin?

Jo asnjëherë.

Si erdhi te angazhimi juaj për ligjërata në Kaçanik dhe Hanin e Elezit pasi që ju ishit Imam në Gjilan?

Unë kam ligjëruar në të gjitha qytetet e Kosovës dhe gjithmonë ligjërimet i kam bërë pasi që më kanë ftuar nga ato qytete.

Ku i keni mbajtur ligjëratat në Kaçanik?

I kam mbajtur në xhami, nuk e di saktë datat por e di që në Ramazan, nganjëherë kam shkuar të enjten.

Sa herë keni shkuar?

Kam shkuar gati çdo javë.

A ka pasë raste kur nuk keni mbajtur ligjërata në xhami në Kaçanik?

Po ka pasë raste.

Në cilat vende i keni mbajtur?

Besoj që kanë qenë shoqata “Parimi” dhe “Rinia Islame” e si i kanë pasur ata dokumentet ata e dinë sepse nuk e di të kujt kanë qenë lokalet.

Cilat kanë qenë moshat?

Mosha e pjesëmarrësve në ligjëratat e mia kanë qenë e ndryshme, ka pasë të moshuar por më shumë të rinj.

A jeni paguar për këto ligjërata?

Jo nuk jam paguar, kanë qenë vullnetare dhe edhe shpenzimet e udhëtimit i kam mbuluar vetë.

Ju thatë që keni mbajtur ligjërata jashtë xhamisë. Sa ligjërata i keni mbajtur dhe pse nuk i keni mbajtur të gjitha në xhami?

Në datat e rëndësisë së veçantë fetare i kemi mbajtur në xhami përndryshe i kemi mbajtur në shoqata.

A keni pasë pyetje në ligjëratat tuaja lidhur me luftën në Siri?

Nuk kujtoj që ka pasur pyetje për luftën në Siri.

A është këshilluar dikush pjesëmarrës në luftën e Sirisë me ju për atë luftë?

Jo askush.

A duhet leje prej Bashkësisë Islame për ligjëratat jashtë institucionit?

Nuk ka nevojë për leje me kusht që ligjëratat të jenë në kornizat e Kuranit dhe synetit.

Kush i zgjedh temat që i ligjëroni ju para xhematit?

Temat që i ligjëroj i zgjedh vetë.

A keni njohuri ju si hoxhë se çfarë po ndodh në Siri dhe a i përkrahni këta njerëz?

Prej që jam në burg nuk e di se çfarë po ndodh.

A e kanë obligim myslimanët e Kosovës të shkojnë të luftojnë në Siri?

Kjo kërkon shtjellim të gjatë dhe nuk e besoj që e kam mundësinë ta bëj këtu.

Si e njeh Lavdrim Muhaxherin?

Unë i kam njohur dy, ai që e kam njohur personalisht dhe një tjetër përmes mediave. Ai që e kam njohur unë ka qenë një djalë i ri i sjellshëm.

Si e njeh Ridvan Aqifin?

Ai ka qenë imam, gjithashtu edhe nxënës i medresesë dhe ashtu e kam njohur.