Të Pashqyrtuara Aplikacionet e të Dënuarve
Për shkak të këtij mosshqyrtimi, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ia vazhdoi mandatin Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Dënuarve dhe ish të Përndjekurve Politikë.
Propozimi për vazhdim mandati erdhi nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala që tha se nuk janë shqyrtuar më shumë se gjysma e aplikacioneve të personave që pretendojnë hyrjen në këtë kategori.
Sipas tij, nëse komisioni nuk arrin t’i përmbyllë detyrat e tij brenda 4 vjetësh atëherë qeveria mund t’ia vazhdojë mandatin.
“Zyra e Kryeministrit propozon që t’i vazhdohet mandati Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Dënuarve dhe ish të Përndjekurve Politikë deri më 30 qershor 2017 në përbërjen si vijon: një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, një përfaqësues i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë, një deputet i Kuvendit të Kosovës nga komisioni përkatës, një përfaqësues i Shoqatës së Burgosurve Politikë të Kosovës, një përfaqësues i shoqërisë civile përkatësisht i Shoqatës së Juristëve të Kosovës,” tha Shala.
Shala ftoi institucionet e përmendura që brenda afatit prej 15 ditësh të propozojnë përfaqësuesit e tyre.
Ndërkaq, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se ky komision ka kërkuar mjete financiare për punën e bërë.
“E them që për punën që e kanë bërë vitin e kaluar dhe për punën që duhet ta bëjnë gjatë këtij viti është kërkesa për stafin administrativ, jo për të emëruarit e tjerë që mund të jenë nga ministritë, në shumën prej 23 mijë e 750 euro,” theksoi Kuçi.
Qeveria e Kosovës parasheh kompensimin e ish-të dënuarve politikë që janë burgosur gjatë regjimeve serbo-jugosllave prej 1 marsit të vitit 1913 e deri më 12 qershor të vitit 1999.
Për ata që kanë kaluar më shumë se dy muaj burg gjatë kësaj periudhe, kompensimi për një ditë burgu është 15 euro.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, përveç propozimit për vazhdimin e mandatit të komisionit për të burgosurit, janë miratuar 13 pika të rendit të ditës. Ndër to janë shqyrtimi i Projektligjit për Akademinë e Drejtësisë, Shqyrtimi i Nismës për Lidhjen e Marrëveshjes në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit të OPEC për Zhvillimin Ndërkombëtar për Promovimin dhe Mbrojtjen e Investimeve, Shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar për vitin 2015, e disa pika të tjera.