Kompensimi - Tre Deputetë Kërkuan Dëshmi të Burgut

Agjencia Shtetërore e Arkivit të Kosovës përgjatë muajve prill dhe maj pranoi 960 kërkesa të njerëzve që kërkuan dokumente që dëshmojnë se në të kaluarën kanë qenë të dënuar politikë. 

Qeveria e Kosovës parasheh kompensimin e ish-të dënuarve politikë që janë burgosur gjatë regjimeve serbo-jugosllave prej 1 marsit të vitit 1913 e deri më 12 qershor të vitit 1999. 

Rregullorja qeveritare për kompensimin parasheh që për të fituar statusin e ish-të dënuarit politik, qytetarët duhet të ofrojnë dëshmi se kanë qenë të dënuar pa të drejtë bazuar në ligje anti-humane dhe diskrimunuese. 

Kryeshefi i agjencisë Ramë Manaj thotë se 480 kërkesave i është kthyer përgjigje pozitive ndërsa 300 kërkesave i është kthyer përgjigje negative. 

Ndërsa 180 kërkesa tjera janë në procedim e sipër. 

“480 kërkesave i është kthyer përgjigje pozitive ndërsa 300 kërkesave i është kthyer përgjigje negative. Ramë Manaj

Manaj thotë se dokumente që dëshmojnë se kanë qenë të dënuar politikisht kanë kërkuar edhe veprimtari Adem Demaçi, kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, deputetët Nait Hasani e Azem Syla.

Gazeta ka kontaktuar kryetarin Krasniqi, Hasanin e Sylën, por asnjë prej tyre nuk ka dhënë shpjegime se sa vite kaluan në burg dhe se cila kishte qenë arsyeja që pushteti i atëhershëm kishte përdorur si arsyetim për t’i dënuar.  

Ish-të dënuarit politikë do të kompensohen nga Qeveria për vitet e kaluara në burg. 

Kuvendi Kosovës më 2010 miratoi Ligjin që rregullon të drejtat e tyre. Më 14 mars 2013 Qeveria miratoi rregulloren për procedurat dhe kriteret e kompensimit të ish-të dënuarve politikë. Ajo po ashtu vendosi që 31 maji i vitit 2013 të jetë afati i fundit për aplikim i ish-të dënuarve të cilët do të kompensohen. 

Qeveria ka formuar edhe komisionin për shqyrtimin e aplikacioneve i cili kryesohet nga deputeti Hydajet Hyseni.

Bazuar në rregulloren qeveritare aplikantët që duan të kenë statusin e ish-të dënuarit politik duhet të sjellin në këtë komision ndonjërën prej dëshmive siç janë: vërtetimi për vuajtjen e dënimit, aktgjykimi i plotfuqishëm me të dhëna që vërtetojnë kohën e qëndrimit në burg, dëshmi me shkrim nga shoqata e të burgosurve ose dëshmitë e dy dëshmitarëve bashkëvuajtës. 

Rregullorja parasheh kompensimin e familjarëve në rast se ish i dënuari politik tashmë ka vdekur. 

Pjesë e komisionit janë edhe një zyrtar i ministrisë së drejtësisë, një i punës e mirëqenies sociale, shëndetësisë, një deputet dhe një përfaqësues i shoqërisë civile.  

“Ende nuk i kemi mbledhur të gjitha të dhënat, por mund të konstatohet se ka një interesim të shtuar. Hydajet Hyseni.

Hydajet Hyseni, deputeti i PDK-së njëherësh edhe kryetar Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë, thotë se ende nuk dihet numri i saktë e njerëzve që do të fitojnë statusin. 

“Ende nuk i kemi mbledhur të gjitha të dhënat, por mund të konstatohet se ka një interesim të shtuar”. 

Hyseni ishte i burgosur më 16 dhjetor 1981 dhe ishte mbajtur deri më 22 korrik 1991. Ai thotë se ka aplikuar për të fituar statustin e ish të dënuarit politik. 

Ende nuk dihet kostoja e kompensimit

Pika e parë e Nenit 13-të të rregullores qeveritare thotë se “kompenzimi për një ditë të kaluar në burg, bëhet sipas dispozitave në fuqi për kompensimin e personave të dënuar pa faj”.

Shuma është 15 euro.  

“Po presim të përmbyllet regjistrimi i kategorisë së ish të dënuarve politikë për të ditur saktë se sa është numri i kësaj kategorie. Muharrem Shahini

Muharrem Shahini, shefi i zyrës për informim në Ministrinë e Financave, thotë se kjo ministri është duke pritur nga organet kompetente përmbylljen e regjistrimit të kësaj kategorie, që të dihet numri i saktë i aplikuesëve.

“Po presim të përmbyllet regjistrimi i kategorisë së ish të dënuarve politikë për të ditur saktë se sa është numri i kësaj kategorie përfituese nga buxheti i Kosovës në mënyrë që të procedohet më tutje”, tha Shahini.

Hydajet Hyseni, i cili kryeson komisionin, tha se përllogaritja e kostos së buxhetit do të bëhet pasi të përfundojë procesi i aplikimit kur do të dihet sa ish-të burgosur politikë janë. 

“Në konsultim me përfaqësues relevantë të qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, jemi pajtuar se kostoja e zbatimit të këtij ligji të jetë e përballueshme për qeverinë”, thotë Hyseni.