Sheshi “Adem Jashari” në Lipjan, Foto: KALLXO.com

Më 5 prill fillon regjistrimi i popullsisë, ASK thotë se pjesëmarrja është obligim qytetar

Për më shumë se një muaj në Kosovë do të zhvillohet procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024).

Ky proces do të fillojë nesër, më 05.04.2024 e do të vazhdoj deri më 17.05.2024.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në prag të fillimit të këtij projekti ka thënë se pjesëmarrja në Regjistrimin e Popullsisë nuk është vetëm një detyrë qytetare, si akt i fuqishëm përfaqësimi, por është edhe obligim ligjor.

“Duke u siguruar që ju dhe familja juaj të numërohen, ju shprehni praninë tuaj dhe kontribuoni në formësimin e së ardhmes sonë” – tha ASK.

Sipas një njoftimit të Agjencisë, Regjistrimi i Popullsisë nuk është vetëm një numërim i popullsisë, por sipas saj është një përpjekje gjithëpërfshirëse që paraqet një pamje të detajuar se kush jemi, ku qëndrojmë dhe ku mund të shkojmë.

ASK tha se informacioni i mbledhur gjatë Regjistrimit të Popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës së qytetarëve, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave.

Në këtë njoftim u tha se ky proces është mundësia kolektive për të siguruar që çdo komunitet të marrë vëmendjen dhe burimet që meriton.

ASK tha se sigurojnë të gjithë qytetarët se procesi i Regjistrimit të Popullsisë është projektuar me respektin maksimal për privatësinë dhe konfidencialitetin e qytetarëve.

“Informacioni i mbledhur përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore, duke ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Është një mundësi për t’u dëgjuar, për të kërkuar hapësirën tuaj dhe për të kontribuar në të ardhmen tonë kolektive. Le ta përqafojmë këtë mundësi” – u tha tutje.

Gjithashtu ASK njoftoi se shprehin mirënjohjen për angazhimin e palodhshëm të të gjithë stafit, që është mbi 5 000 persona, dhe të të gjithë qytetarëve për një bashkëpunim në një moment kyç, ku çdo zë e çdo person ka rëndësi.

ASK tha se përfshirja e gjithsecilit në Regjistrimin e Popullsisë është një hap drejt sigurimit të një të ardhmeje më të ndritshme dhe më të barabartë për të gjithë.

Regjistrimi i dëmeve gjatë luftës: Sa reale mund të jenë ato?