Mbledhja e Komisionit pë Legjislacion - 10.07.2018 / FOTO KALLXO

Ligji për konfiskimin e pasurisë dhe i mbrojtjes së sinjalizuesve marrin dritën e gjelbër

Komisioni për legjislacion i Kuvendit të Kosovës është duke diskutuar lidhur me Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë dhe atë për mbrojtjen e sinjalizuesve.

Gjatë diskutimeve të anëtareve të komisionit këto dy projektligje kanë marrë vërejtje, kryesisht nga deputetët e opozitës.

Deputet i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se e përkrahin projektligjet e ofruara nga ana e Qeverisë, pasi sipas tij përveç rëndësisë që kanë këto ligje, ato duhet të kryhen para shkuarjes në pushim të legjislativit.

“Ky projektligj dhe ai për mbrojtjen e sinjalizuesve janë shumë të rëndësishme për pakon e drejtësisë dhe duhet të kalojnë para pushimit. Në këto projektligje kanë dhanë kontribut shumë ekspertë dhe ne si PDK i përkrahim”, tha deputeti Beqa.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se dallimi në mes ligjit që ka sjell qeveria dhe atij të propozuar nga subjekti i tij politik është tek neni që rregullon barrën e provës.

“Hajdar Beqa nuk dha ndonjë kontribut për projektligjin, por vetëm e mbrojti ligjin e qeverisë. Dallimi në mes këtij projektligji dhe atij që e ka sjellë Vetëvendosja janë vetëm në një nen dhe atë në lidhje me barrën e provës. Unë e kam konsultuar çdo dokument që thirret qeveria dhe ky projektligj i ik thelbit që e ka pru gjendjen në Kosovë në lidhje me Korrupsionin. Në BE ka një koncept që është ngrirja e pasurisë që nuk ka nevojë për një vendim gjyqësor dhe pastaj të merret vendimi. Projektligji që është paraqit nuk e  parasheh pikërisht këtë moment”, tha Kurteshi, duke shtuar se është e nevojshëm angazhimi i ekspertëve më të mirë në lidhej me këto projektligje dhe jo ngutia se duhet të kryet para pushimeve.

Korab Sejdiu, deputet i LDK-së, tha se bazuar në përmbajtjen e ligjeve, duhet hequr e drejta Ministrisë së Drejtësisë që të thirret në ekspertë.

“Unë duke e pas parasysh “kualitetin” e ligjeve që po vijnë nga Ministria e Drejtësisë, kisha me jua heq të drejtën me u thirr në ekspertë, sepse po i shohim se si janë. Projektligji që e kemi këtu flet për konfiskimin e pasurisë pas vendimit të gjykatës, projektligji i Vetëvendosjes nuk është sot në shqyrtim flet për diçka tjetër, për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar. Andaj mos ti ngatërrojmë. Unë nuk pe shoh të arsyeshme që ne me u ngut e me kalu ligje shkel e shko kinse me i plotësu kushtet e liberalizimit. A i kemi plotësu a jo ato kushte? Unë mendoj se i kemi plotësu kushtet”, ka deklaruar Sejdiu.

Pas diskutimeve të anëtarëve të Komisionit për Legjislacion… të dyja projektligjet, ai për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë dhe Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve janë miratuar në parim.

Anëtarët e Komisionit gjithashtu, kanë vendosur që t`i vizitojnë grevistët në Pallatin e Drejtësisë.