Ramush Haradinaj-Gazmend Muhaxheri

Kryeministri kërkon 250 mijë euro dëmshpërblim për deklaratat e kryetarit të Pejës

Në Gjykatën Themelore të Pejës ka nisur seanca gjyqësore në të cilën kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka paditur kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, për shpifje.

250 mijë euro dëmshpërblim po i kërkon përmes gjykatës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Haradinaj përmes avokatit të tij, Araniti Koci, në vitin 2015-të e kishte paditur kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, për shkak të deklaratave “fyese dhe shpifëse” në gazetën austriake ‘Der Standard’.

Në seancën e parë të këtij gjykimi, përveç avokatit të Haradinajt, Arianit Koci, prezent nuk ishin as kreu i Pejës, Gazmend Muhaxheri, e as avokati i tij, Besnik Berisha.

Gjyqtarja e rastit, Ganimete Puka, tha se pala e paditur ka njoftuar se për arsye objektive nuk kanë mundur të jenë prezent në seancë.

Në anë tjetër, avokati i kreu të qeverisë, Arianit Koci, gjatë seancë se sotme, tha se Gazmend Muhaxheri ka shpifur me deklarata të pavërteta për Ramush Haradinajn, duke e ndërlidhur atë me biznese të naftës, lojërave të fatit dhe vrasjet e pasluftës në rajonin  e Dukagjinit.

“Z. Muhaxheri, gjatë një interviste të dhënë për të përditshmen austriake, Der Standard, me një gjuhë denigruese për z.Haradinaj ka shpifur dhe e ka ndërlidhur të njëjtin me biznese të pompave të benzinës dhe me lojëra të fatit. Poashtu e ndërlidh të njëjtin me disa përleshje që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë. I padituri, këtë rast z.Muhaxheri, kryetari i komunës se Pejës, duke iu referuar disa ngjarjeve që asnjëherë nuk janë zbardhur dhe të cilat kanë ndodhur pas luftës, sidomos në rajonin e Dukagjinit, i ndërlidh ato me paditësin(Ramush Haradinajn)”,tha Koci.

Tutje avokati i Haradinajt tha se kryetari i Pejës, poashtu gjatë intervistës për gazetën austriake ka lëshuar “deklarata shpifëse” duke e ndërlidhur Ramush Haradinajn për konfliktin me ushtarët e FARK-ut.
Ai poashtu tha se me këto deklarata është dëmtuar reputacioni i Ramush Haradinajt, dhe së vlera e dëmshpërblimit që kërkohet është 250 mijë euro.
Ndërsa gjyqtarja Ganimete Puka tha se ka pranuar  nga pala e paditur përgjigjen në padi, e cila në tërësi e ka kontestuar kërkesë padinë, duke e konsideruar si të pabazuar dhe e njëjta të refuzohet.

Gjyqtarja Puka, poashtu bëri të ditur se pala e paditur ka propozuar të dëgjohet si dëshmitare gazetarja e “Der Standard”, Abdelged Wold.

Me ketë propozim u pajtua edhe avokati Arianit Koci, mirëpo ai kërkoi që mos të zgjat me shumë se tre muaj procedura  për dhënien e  dëshmisë se saj.

Po gjykata mori aktvendim që i njëjti propozim të refuzohet, dhe ndaj këtij vendimi mos të ketë të drejtë ankese.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 9 korrik të këtij vitit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.

https://kallxo.com/ramush-haradinaj-e-gazmend-muhaxheri-perballen-ne-gjykate-ne-prill/

https://kallxo.com/shtyhet-perballja-ne-gjykate-e-ramush-haradinajt-me-gazmend-muhaxherin/

https://kallxo.com/ramush-haradinaj-e-gazmend-muhaxheri-perballen-ne-gjykate/

https://kallxo.com/nis-perballja-gjyqesore-haradinaj-muhaxheri/