Programet e studimit të Fakultetit të Edukimit të UP-së që pritet të rishikohen për akreditim

Për tri programe të studimit të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës nuk u vendos nëse do të akreditohen në mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) të datës 20.05.2024.

Në dy prej këtyre programeve ekspertët e kanë ulur numrin e studentëve që lejohen të marrin pjesë në raport me numrin që kanë kërkuar nga UP.

Kurse, në njërin program ekspertët kanë rekomanduar periudhën e akreditimit, por jo edhe numrin e studentëve që lejohet të marrin pjesë.

Anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë nuk arritën t’i gjenin argumentet e ekspertëve në raportet e tyre të vlerësimit të programeve të studimit se përse kishte ndodhur ulja apo mosrekomandimi i numrit të studentëve nga ana e tyre.

Përveç këtyre tri programeve të studimit, Fakulteti i Edukimit i UP-së ka edhe të tjera programe studimi, por që nuk përfshihen në listën e programeve që ka akredituar KSHC.

Në programin “Edukimi në fëmijërinë e hershme (0-6 vjet)” (Bachelor) të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, ekspertët kanë propozuar që të akreditohet për 3 vjet, për 60 studentë, ndërsa kërkesa e UP-së ka qenë për 120 studentë.

KSHC për këtë program do të kërkojë sqarime nga ekspertët se pse kanë propozuar të ulet numri i studentëve, nga 120 në 60 studentë, pastaj do të vendosin se a duhet të akreditohet ky program.

Në programin “Edukimi fillor (në tri gjuhë)” (Bachelor) ka munguar numri i studentëve të rekomanduar nga ekspertët, përveç që kanë rekomanduar që programi të akreditohet për 5 vjet.

Edhe për këtë program të Fakultetit të Edukimit të UP-së, KSHC do t’u kërkojë ekspertëve të rekomandojnë numrin e studentëve, pastaj do të vendosin në lidhje me akreditimin apo jo.

Programi “Master i mësimdhënies lëndore (me 7 specializime)”, në Fakultetin e Edukimit të UP-së ekspertët kanë propozuar që të akreditohet për 3 vjet, për 25 studentë, ndërsa UP ka kërkuar të akreditohet për 280 studentë.

KSHC do të vendosë për këtë program të edukimit pasi të kuptojë se përse ekspertët kanë rekomanduar për 25 studentë.