Ilustrimi: KALLXO.com
Transparenca e munguar në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit
Në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka arritur t’i përmbushë në plotëni standardet e transparencës, ndërsa vendimet pasuese pas ankesave treguan për mungesë të një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN që nga nisja deri në përfundim ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Për të garantuar transparencë të procesit, KPK garantoi monitorim nga shoqëria civile ndërsa koncept-dokumentet e kandidatëve u publikuan në ueb-faqe dhe intervistat u transmetuan në televizionin publik.
Transparenca e procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit “tregoi shumëçka, por nuk tregoi çështjen kryesore”, pasi procesi u mbyll për publikun dhe monitoruesit në fazën e tij finale – në momentin kur antarët kryen vlerësimin (poentimin) e kandidatëve dhe erdhi momenti i kumtimit të rezultateve.
Kjo fazë është faza më e rëndësishme ku anëtarët e Komisionit vendosin numrin e pikëve për secilin kandidat dhe pasi që bëjnë publike secilën pikë për secilin kandidat, japin arsyetimin për secilën fushë.
Kjo mbyllje parashihet me Rregulloren për Përzgjedhjen e Kryeprokurorëve, mirëpo e njëjta rregullore nuk parasheh askund që procesi të transmetohet drejtëpërdrejtë në televizion, nuk parasheh po ashtu askund që koncept dokumentet të jetë publike, mirëpo për dallim nga publiciteti i poentimit, këto u mundësuan dhe rregullorja nuk ishte problem të shmangej.
Meqë me rastin e poentimit nuk ishin bërë publike pikët e dhëna për secilin kandidat dhe arsyeshmërinë e një poentimi të tillë, BIRN ka kërkuar nga KPK-ja qasje në listat e vlerësimit të secilit anëtar të komisionit vlerësues për secilin kandidat për Kryeprokuror të Shtetit. KPK-ja deri në publikimin e këtij raporti të monitorimit nuk ka dhënë qasje, prandaj BIRN do të dërgojë ankesë tek Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Mbyllja për publikun e procesit në fazën e tij finale, të poentimit, krijoi probleme sistematike që dëmtuan kredibilitetin e procesit si dhe nuk garantoi një proces meritor të vlerësimit dhe poentimit të kandidatëve.
Mostransparenca me rastin e poentimit dhe moslejimi i qasjes në këto dokumente tregon që ky proces i rekrutimit nuk është zhvilluar në përputhje me standardet e disa institucioneve të tjera gjatë rekrutimeve të pozitave të larta drejtuese.
Në konkurset e hapura nga Kuvendi dhe Qeveria, sidomos ato që bëhen me asistencë nga ekspertët britanikë janë vendosur standarde të transparencës së plotë gjatë intervistimit dhe poentimit. Standardi është që anëtarët e Komisionit vlerësues obligohet që t’i bëjnë publike pikët e dhëna për secilën përgjigje të kandidatëve. Përveç kësaj, në rastet kur ka dallime të mëdha në poentim, anëtarët e Komisionit vlerësues obligohen të japin arsyetime për secilin poentim të bërë.
Kjo është një mënyrë e mirë për të treguar transparencë dhe llogaridhënie gjatë zhvillimit të proceseve të rekrutimit, veçanërisht në pozitat e larta udhëheqëse, por ky standard i transparencës nuk u arrit në KPK me rastin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
Rregullorja që mundëson mostransparencën
Procesi është zhvilluar bazuar në Rregulloren për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës. Kjo rregullore, anëtarëve të Komisionit u garanton “konfidencialitet të plotë gjatë vlerësimit” dhe nuk i obligon ata që t’i arsyetojnë pikët e dhëna para monitoruesve dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit vlerësues. Arysetimin e poentimit ata e bëjnë nëpër dokumentet e vlerësimit, të cilat janë sekrete dhe nuk bëhen publike.
BIRN kishte konstatuar në vitin 2020 kur ishte zgjedhur Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, se kjo rregullore pamundëson që procesi të jetë tranparent dhe të garantonte se ishte i bazuar në meritë, duke rekomanduar ndryshimin e saj në mënyrë që poentimit të bëhet tranparent dhe njëkohësisht të obligohen anëtarët e Komisionit vlerësues të bëjnë arsyetimin e poentimit të bërë.
KPK-ja nuk e ka ndryshuar rregulloren për të futur standardet e reja të promvuara nga institucionet e tjera, sidomos në konkurset për pozitat e larta që asistohen nga Ambasada e Britanisë së Madhe.
Përveç kësaj, KPK-ja nuk e kishte ftuar Ambasadën britanike të asistojë në zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, përkundër faktit që kjo Ambasadë kishte shpreh gatishmëri. Madje, Ambasada britanike ishte shprehur e befasuar që KPK-ja e kishte iniciuar konkursin pa dakordim të hapave me ta.
Mungesa e transparencës ka bërë që problemet në poentim të identifikohen pjesërisht vetëm pas shqyrtimit të ankesave, pasi u zbulua se anëtarët e Komisionit nuk kishin vlerësuar me të njëjtin standard të gjithë kandidatët për përgjigjet e njëjta që kishin dhënë.
Një prej çështjeve që është vlerësuar dhe poentuar tek kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit ishte edhe integriteti i tyre. Kjo është vlerësuar duke shfrytëzuar dy mekanizma. E para, anëtarët e Komisionit vlerësues kanë pasur qasje në gjithë dosjen e kandidatëve për të parë nëse ndaj tyre ndonjëherë kishte ndonjë procedurë disiplinore apo ndonjë hetim penal.
Përveç kësaj, secili prej kandidatëve është pyetur nëse kanë ndonjë procedurë të re aktive për çështje disiplinore apo penale. Anëtarët e Komisionit vlerësues kanë pasur mundësi t’i poentojnë kandidatët deri në 20 pikë në çështjen e integritetit.
Pas shqyrtimit të ankesave ka rezultuar se njëri prej anëtarëve të Komisionit vlerësues i kishte poentuar dy kandidatë me pikë të ndryshme, njërin 16 e tjetrin 20 pikë, përkundër se përgjigjet dhe të dhënat mbi integritetin e tyre ishin të ngjashme: Asnjëri nga kandidatët nuk kishe pasur ndonjë rast të hapur, apo masë disiplinore të shqiptuar. Anëtari i Komisionit vlerësues nuk kishte dhënë ndonjë arsyetim se pse njërin nga kandidatët nuk e ka poentuar me pikë maksimale, 20 pikë për çështjen e integritetit.
Në një rast tjetër, një anëtar i Komisionit vlerësues e ka poentuar vetëm 14 pikë njërin prej kandidatëve me arsyetimin se i njëjti ka iniciuar disa procedura disiplinore ndaj vartësve të tij. Pra, inicimi i procedurave ndaj vartësve të tij është parë si gjë negative dhe ky anëtar i Komisionit ia kishte hequr 6 pikë në këtë fushë, pra nga maksinumi prej 20 pikësh, të njëjtin e kishte vlerësuar me 14 pikë.
Intervistimi i kandidatëve
Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit është bërë bazuar në Rregulloren për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës.
Në bazë të kësaj rregullore, poentimi bëhet për disa fusha dhe maksimumi që mund të arrijë një kandidat është 100 pikë. Koncept-dokumenti dhe prezantimi i tij nga kandidati vlerësohet deri në 30 pikë; Integriteti i kandidatit vlerësohet deri në 20 pikë; Aftësitë udhëheqëse dhe menaxheriale të kandidatit vlerësohen deri në 30 pikë si dhe njohuritë teknike dhe përvoja e nevojshme për ushtrimin e funksionit vlerësohet deri në 20 pikë.
Ndryshe nga herë të tjera, çdo intervistë e secilit kandidat është xhiruar dhe është transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Rregullat e promovuara nga këshilli kërkojnë që secili nga kandidatët të ketë në dispozicion 45-60 minuta kohë për t’u përgjigjur në pyetjet e pesë anëtarëve të Komisionit.
Kandidatët për kryeprokuror paraprakisht ka qenë dashur të dorëzojnë një koncept-dokument që shpërfaqë strategjinë dhe pikëpamjet për udhëheqjen e këtij institucioni, të cilat mund t’i gjeni të publikuara në ueb-faqen e Prokurorisë së Shtetit.
Kandidatët janë përgjigjur në pyetjet që u janë bërë nga anëtarët e Komisionit rreth integritetit, aftësive udhëheqëse dhe menaxheriale si dhe njohurive teknike dhe përvojës për ushtrim të funksionit.
Secili anëtar i Komisionit, vlerësimin e ka bërë në mënyrë konfidenciale. Në këtë rregullore, më saktësisht në nenin 14 të kësaj rregulloreje, tek përcaktimi i mënyrës së poentimit, parashihet se anëtarët e Komisionit mënyrën e vlerësimit të kandidatëve e bëjnë në mënyrë konfidenciale dhe përmes një kodi të veçantë, të fshehtë i cili u jepet secilit anëtar të Komisionit.
Secili anëtar i Komisionit është pajisur me një kod të veçantë dhe në mënyrë konfidenciale e ka bërë poentimin e kandidatëve. Sipas Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, për secilën fushë/kategori të vlerësimit, anëtari i Komisionit duhet të jap një arsyetim lidhur me mënyrën e poentimit. Mirëpo, meqë anëtarët e Komisionit vlerësues identifikohen me një kod të veçantë, atëherë nuk dihet se kush sa e ka poentuae cilin kandidat dhe cili anëtar i Komisionit çfarë arsyetimi ka dhënë.
Pas poentimit të kandidatëve nga anëtarët e Komisionit vlerësues, fletëvotimet i janë dorëzuar sekretariatit, të cilët pas kalkulimit të pikëve, monitoruesve u kanë kumtuar vetëm totalin e pikëve për secilin kandidat.
Monitoruesit që kanë qenë të pranishëm gjatë zhvillimit të procesit nuk kanë arritur të kuptojnë për mënyrën dhe arsyeshmërinë e vlerësimit që kanë dhënë anëtarët e Komisionit për secilin kandidat.
Në praktikat e promovuara nga Ambasada britanike dhe të implementuara nga Qeveria dhe Kuvendi, anëtarët e Komisionit shpjegojnë në nisje arsyen e poentimit për secilën pyetje e secilën fushë.
Përveç pyetjeve bazë të cilat kanë qenë të njëjta për secilin kandidat, anëtarët e Komisionit kanë pasur raste kur ndaj ndonjë kandidati kanë parashtruar edhe pyetje shtesë, duke mos aplikuar standard të njëjtë ndaj të gjithë kandidatëve.
Po ashtu, në fushën e kompetencës së integritetit, BIRN ka konstatuar se kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit nuk janë sfiduar njëjtë për përgjigjet e dhëna. Si në fushat e tjera, edhe në fushën e integritetit kandidatëve u janë bërë pyetje të përgjithshme, pa u ndaluar në detaje.
Në proceset e rekrutimit që asistohen nga ekspertët britanik, në fushën e kompetencës së integritetit anëtarët e Komisionit vlerësues i sfidojnë kandidatët me raste konkrete të cilat u parashtrohen nga Komisioni dhe nga kandidatët pritet që të japin përgjigje konkrete qoftë nga përvoja paraprake apo mënyra se si do të vepronin të njëjtit në situata të caktuara ku do të vihej në pikëpyetje integriteti i kandidatit.
Një model i tillë nuk është ndjekur nga Komisioni i KPK-së. Këta të fundit kanë pyetur kandidatët vetëm për situata nëse ata kanë pasur probleme me integritetin.
Pas përfundimit të intervistimit dhe poentimit, kandidati më i poentuar ishte Blerim Isufaj, i cili kishte marrë 98 pikë nga 100 pikë sa ishte totali. I dyti është renditur kandidati, Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë si dhe Lulzim Sulejmani me 74.2 pikë.
Në bazë të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, pas votimit dhe shpalljes së rezultateve, atëherë votimi për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit duhet të aprovohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial.
Rregullorja përcakton se kandidati që merr më së shumti vota, duke kaluar me vota të përgjithshme, mbi 3% kandidatin e dytë, atëherë emri i këtij kandidati shkon për votim dhe aprovim në këshill. Në rastet kur diferenca në mes të kandidatit të parë dhe të dytë është deri në 3%, atëherë emrat e dy kandidatëve shkojnë për votim në këshill.
Në rastin konkret është dërguar vetëm emri i Blerim Isufaj pasi i njëjti kishte 6 pikë më shumë se kandidati i dytë.
Shqyrtimi i ankesave nga Komisioni i Ankesave
Në bazë të rregullores, kandidatët e pakënaqur me mënyrën e vlerësimit kundërshtimet e tyre mund t’i japin duke u bazuar në këto pika: për moszbatim të dispozitave të Ligjit, moszbatim të dispozitave të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit si dhe për poentim të pasaktë.
Komisioni për rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit në përbërje të prokurorëve: Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Jehona Grantolli, kanë shqyrtuar ankesat e kandidatëve. Këta prokurorë njëkohësishtë janë edhe anëtarë të Këshillit Prokurorial.
Pas shpalljes së rezultateve, katër kandidatë kanë ushtruar ankesë tek Komisioni për rishqyrtimin e kundërshtimeve të kandidatëve. Ankesë kanë ushtruar kandidatët Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.
Kryesisht, ankesat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit ishin në bazat e moszbatimit të Ligjit, moszbatim të dispozitave të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe për poentim të pasaktë.
BIRN ka marrë pjesë në takimin e komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve.
Pas analizimit të këtyre ankesave, anëtarët e Komisionit të Ankesave kanë gjetur se secili prej kandidatëve që kanë ushtruar ankesë, kanë pasur të drejtë në ndonjë prej pikave sa i përket bazës së poentimit të pasaktë.
Sipas Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, anëtari i Komisionit duhet të japë një arsyetim lidhur me mënyrën e poentimit për secilën fushë/kategori të vlerësimit. Por, Komisioni i Ankesave ka konstatuar se anëtarët e Komisionit vlerësues në disa raste arsyetimin e poentimit nuk e kanë bërë në përputhje me rregulloren.
Kandidatit Armend Hamiti, Komisioni i ka aprovuar ankesën në bazën e poentimit të pasaktë në dy fusha: Shkathtësitë udhëheqëse dhe menaxheriale si dhe në prezantim dhe koncept dokument.
Edhe kandidatit Kujtim Munishi i është aprovuar ankesa në bazën e poentimit të pasaktë, për fushën e prezantimit dhe koncept-dokumenti, atë të shkathtësive udhëheqëse dhe menaxheriale si dhe integritetit.
Kandidati tjetër Lulzim Sulejmani kishte ushtruar ankesë mbi bazën e moszbatimit të dispozitave të Ligjit dhe poentimit të pasaktë duke kontestuar edhe barazinë e kandidatëve.
Pas analizimit të ankesës së tij, komisioni i ankesave kandidatit Sulejmani kishte vendosur që t’i aprovonte ankesën mbi bazën e poentimit të pasaktë, në disa raste të poentimit të disa anëtarëve të komisionit në fushat e prezantimit dhe koncept dokumentit, njohurive teknike dhe përvojës, shkathtësive udhëheqëse dhe menaxheriale si dhe integritetit.
Edhe kandidati tjetër Shqipdon Fazliu kishte ushtruar ankesë mbi bazat e moszbatimit të Ligjit, moszbatimit të dispozitave të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe poentimit të pasaktë. Në ankesën e tij, Fazliu kishte deklaruar se i njëjti nuk ka pasur mundësi të kundërshtojë poentimin lidhur me kandidatët e tjerë, pasi që nuk ka pasur qasje në poentimin e kandidatëve të tjerë. Për këtë arsye ai është shprehur se të njëjtit i është cenuar e drejta e kundërshtimit.
Pas analizimit të ankesës, kandidatit i është aprovuar ankesa në bazën e poentimit të pasaktë, në fushat e prezantimit dhe koncept-dokumentit, integritetit, njohurive teknike dhe përvojës si dhe shkathtësive udhëheqëse dhe menaxheriale.
Komisioni i Ankesave kishte konstatuar se Këshilli konform rregullores duhet që t’i konfirmojë rekomandimet e Komisionit të Ankesave dhe disa nga anëtarët e Komisionit vlerësues të rekomandohen ta rishikojnë edhe njëherë mënyrën e vlerësimit dhe arsyetimit e poentimt për fushat përkatëse.
Vendimi i Këshillit Prokurorial
Por, Këshilli Prokurorial nuk i ka aprovuar gjetjet dhe rekomandimet e Komisionit për rishqyrtimin e kundërshtimeve të kandidatëve. Me 7 vota kundër dhe vetëm 3 për, u refuzua raporti i Komisionit për rishqyrtimin e kundërshtimeve të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.
Lidhur me gjetjet e Komisionit të Ankesave pati kundërshtime nga Kryeprokurori aktual i Shtetit, Aleksandër Lumezi që është edhe anëtar i KPK-së.
Lumezi deklaroi se në bazë të raportit të paraqitur nga Komisioni konstatohet se nuk ka pasur shkelje të ligjit dhe rregullores, prandaj nuk ka hapësirë për aprovim të ankesave të kandidatëve.
“Nga kjo që e prezantoi është evidente se nuk ka pasur kurrfarë shkelje të ligjit apo të rregullores për emërimin kryeprokurorit të shtetit, mirëpo ka gjetje dhe aprovimeve të kërkesave të kundër kandidatëve se poentimi nuk ka qenë i saktë. Unë nuk e kam të kjartë a kanë vepruar në përputhje me rregulloren edhe në përputhje me kundërshtimet se duhet komisioni ta ketë parasysh se kundërshtimet kufizohen vetëm në shkeljet specifike që janë paraparë në ligj a në rregulloren për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, nga ajo që u raportua shihet që nuk ka shkelje të ligjit dhe rregullores për emri të kryeprokurorit por vetëm janë thirrur në poentimin e pasaktë”, deklaroi Lumezi.
Lidhur me këtë çështje, kryetari i Komisionit për rishqyrtimin e kundërshtimeve të kandidatëve Veton Shabani, deklaroi se komisioni ka gjetur bazë për aprovimin e ankesave pasi që ka pasur raste kur arsyetimi i poentimit ka qenë i mangët dhe nuk ka qenë në përputhje me udhëzuesin.
“Ka qenë pak sfiduese edhe për ne. Ne ashtu siç e kemi parashtru në raport konsiderojmë se pikërisht kjo ka qenë baza ku kandidatët janë thirr më së shumti dhe ne jemi lëshuar në këtë mënyrë më specifike në të gjitha kategoritë që ata kanë paraqitë ankesë. Është mirë apo jo këtë e ka përcaktu rregullorja dhe jo ne. Gjetjet kanë qenë shumë profesionale dhe në përputhje të plotë me udhëzuesin, lidhur me këtë vendimi është i juaji dhe ne do ta vlerësojmë. Është e vërtetë që nuk ka asnjë rast që ka dhënë përtej vlerësimit të përcaktuara të pikëve, por nëse analizohet është se janë dhënë më pak pikë, dhe vlerësim i njëjtë, prandaj jemi lëshu aty”, tha Shabani.
Por, lidhur me këto konstatime të Komisionit, Lumezi u shpreh se për këto gjetje, kandidatët vendimin mund ta atakojnë në instanca të tjera.
“Kjo është arsye që mund të atakohet edhe në instanca të tjera dhe në Gjykatë. Këtë mund ta ketë parasysh edhe presidentja e vendit, thash që jemi vonë me kohë”, tha Lumezi.
Aleksandër Lumezi deklaroi se në rast se Komisioni ka konstatuar që poentimi ka qenë i pasaktë, atëherë Komisioni në raport është dashur ta cek se është shkelur rregullorja.
“Nëse ka qenë poentimi i pasaktë është dashtë me thënë është shkelë rregullorja, çka nënkuptoni ju me poentimi i pasaktë, duhet me e respektu bazën që e kemi në rregullore duhesh me thonë poentimi i pasaktë se vlerësimi nuk është bërë në raport ne poentimin kjo është arsye me e ataku në Gjykatë por jo ne me e detyrua anëtarin e panelit vlerësues me bo arsyetim tjetër, çfarë logjike ka kjo, çfarë logjike ka kjo me e bo anëtarin e panelit vlerësues me e ndërru arsyetimin. Le të jetë kjo subjekt i procedurave gjyqësor por ne nuk mund të vendosim diçka që nuk është në rregullore. Kundërshtimet duhet të përmbajnë arsyet specifike si në vijim”, deklaroi Lumezi.
Me votim të fshehtë, Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, Blerim Isufaj është propozuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Pra, për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri kanë votuar edhe tre prokurorët që kanë qenë në Komisionin e Ankesave që kishin konstatuar pasaktësi në poentim.
Pas votimit dhe aprovimit të kandidatit Blerim Isufaj nga Këshilli Prokurorial, emri i tij do të shkojë tek Presidentja e vendit për dekretim.
Në rast se Presidentja e dekreton këtë kandidat, atëherë i njëjti emërohet si Kryeprokuror i ri i Shtetit. Mirëpo në rregulloren për emrimin e Kryeprokurorit të Shtetit nuk është e specifikuar se në rast se ndodhë e kundërta, pra në rast se Presidentja nuk e voton kandidatin e propozuar nga Këshilli Prokurorial, si duhet të veprohet në këtë situatë.
Reagimet lidhur me mbarëvajtjen e procesit
Pas përfundimit të procedurave të rekrutimit për kryeprokuror të shtetit ka pasur edhe reagime të institucioneve ndërkombëtare.
Ambasadori i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, nëpërmjet një postimi në Twitter, Jeffrey Hovenier ka thënë se përfaqësuesit eAambasadës ishin të ftuar më 6 prill nga KPK për të monitoruar procesin. Por, sipas tij, prania “si vëzhgues nuk duhet të konsiderohet si miratim i procesit apo procedimit”.
Tutje, Ambasadori Amerikan ka thënë se kanë pritur që procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit të jetë i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në meritokraci.
“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e Panelit Shqyrtues nuk përmbushin këtë standard. SHBA-ja nuk ka pasur një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi paragjykuar kualifikimet individuale të kandidatëve”, ka deklaruar Hovenier përmes një postimi në Tëitter. “Ne jemi të shqetësuar me mënyrën KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, ka deklaruar ambasadori Hovenier.
“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të BE-së për të siguruar një përzgjedhje të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita të Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës përfundoi procesin e përzgjedhjes duke shpërfillur këto parime. Të habitur dhe të zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, kishte shkruar ai në Twitter.
Pas reagimit të BE-së, reagime ka pasur edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili në një postimi në Twitter ka thënë se është i zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit dhe se kjo nuk është mënyra e duhur për të ecur para.
Ky proces i rekrutimit kishte ngjallë reagime qysh në shpallje të konkursit. Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar ndaj Këshillit Prokurorial pas shpalljes së konkursit për Kryeprokuror të Shtetit.
“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhej në reagimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe.
Lidhur me mbarëvajtjen e procesit ka reaguar edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Adnan Rrustemi.
Rrustemi përmes një postimi në rrjetin social Facebook kishte kërkuar anulimin dhe rishpalljen e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit, kjo sipas tij për shkak të shkeljeve, mungesës së transparencës dhe mos garantimit të paanshmërisë.
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon një kryeprokuror me integritet të lartë moral e profesional, që së pari zgjidhet në mënyrë të rregullt, me vlerësim objektiv e transparent. Procesi që u zhvillua në KPK rezulton qartazi në shkelje procedurale e mungesë objektiviteti e transparence”, kishte thënë Rrustemi në Facebook.
Përpos reagimeve ndërkombëtare, procesin e kanë kundërshtuar edhe shoqëria civile.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizjes FOL, kanë dal me një raport përmes të cilit kanë rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri për shkak të shkeljeve procedurale dhe defekteve të evidentuara nga këto organizata.
Njoftimi për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit është bërë në fillim të muajit janar. Kryeprokurorit aktual, Aleksandër Lumezi pritet që t’i skadojë mandati gjatë muajit prill 2022.