Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Çka përmban dokumenti i Presidentes Osmani me të cilin refuzoi dekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit?

Presidentja Vjosa Osmani në një konference për media, bëri të ditur të martën se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit për “shkak të shkeljeve masive”, duke shkuar më tej se kishte pranuar edhe kërcënime nga zyrtarë të insitucioneve të drejtësisë.

Sipas presidentes së vendit Vjosa Osmani, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit është përcjellë me raportime e reagime për parregullsi të shumta.

Lidhur me këto shkelje kishte raportuar edhe BIRN, pasi kishte monitoruar që nga fillimi këtë proces të përzgjedhjes, e lidhur me këtë analizë, ishte njoftuar edhe Presidentja mbi bazën e të cilit raport kishte konstatuar disa nga shkeljet e pretenduara.

Mungesa e transparencës dhe mungesa e një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve janë disa nga gjetjet e monitorimit në fjalë.

Mbyllja e procesit për publikun në fazën e tij finale kishte pamundësuar një proces meritor dhe kredibil.

Mos emërimin e kryeprokurorit, presidentja në njoftimin e saj të sotëm e arsyetoi lidhur me këto vërejtje e shkelje procedurale që janë konstatuar nga akterë ndërkombëtarë e vendorë.

“Me keqardhje më duhet të theksoj se këto vëretje e shkelje procedurale që janë konstatuar, kanë qenë ndër arsyet kryesore për mua si Presidente që të përmbahem nga emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit”- thuhet në njoftimin e sotëm të Presidencës.

Pas dokumentacionit që ka dorëzuar KPK-ja Zyres së Presidentes lidhur me përzgjedhjen e kandidatit, dhe pas analizës së raportuesve të monitoruesve të pavarur, presidentja vlerësoi se procedurat që ka ndjekur KPK nuk përmbushnin standardet ligjore.

Të njëjtit njoftim, presidentja i’a ka bashkangjitur edhe Shtojcën për vlerësimin e saj për procedurën e KPK-së, me shkeljet dhe parregullsitë e konstatuara.

Kronologjia e veprimeve që ka ndërmarrë Presidentja që nga propozimi i KPK-së 

Pasi që KPK-ja ka propozuar dekretimin e kandidatit të propozuar më 8 prill 2022, pas 2 jave në Zyren e Presidentes është dorëzuar një raport i bërë nga Organizata të Shoqërisë Civile që kishin monitoruar procesin në fjalë.

Pas pranimit të raportit, presidentja ka kërkuar dokumentacion nga KPK-ja lidhur me materialet për procedurat e zhvilluara, kurse më 13 maj 2022 Gjykata Kushtetuese ka njoftuar presidenten se 2 kundërkandidatë kanë kontestuar kushtetutshmërinë e propozimit.

Lidhur me këto kërkesa në kushtetuese, kjo gjykatë i kishte shpallur të papranueshme për shkak që nuk i kishin shtjerrur mjetet juridike të rregullta.

Në qershor, Zyra e presidentes është njoftuar se njëri nga kandidatët ka paraqitur padi për konflikt administrativ në Gjykatën e Prishtinës, kurse pas kësaj përsëritet kërkesa e KPK-së ndaj presidentes për dekretim.

Në tetor të vitit të kaluar, presidentja kishte zhvilluar një takim me kryesuesin e KPK-së dhe U. D. e Kryeprokuorit të Shtetit, në të cilin takim presidentja i kishte informuar se do të priste derisa të kryhen afatet kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që t’i hapte rrugë kandidatëve t’i adresojnë shqetësimet në rrugë gjyqësore.

Në fund të të njëjtit muaj presidentja është informuar përmes një aktgjykimi të Gjykatës Supreme me të cilin janë shteruar të gjitha procedurat gjyqësore në gjykatat e rregullta për kundërshtimin e procedurave të zhvilluara në KPK.

Pas kësaj, për herë të tretë përsëritet kërkesa e KPK-së për dekretim, kësaj radhe e natyrës urgjente, në prill të këtij vitit 2023.

Pritja e shterrimit të afateve kushtetuese është prapë përgjigja e presidentes kundrejt KPK-së.

Për t’u siguruar se në Gjykatën Kushtetuese nuk ishte paraqitur ndonjë kandidat lidhur me procedurat e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, presidentja informohet nga kjo gjykatë gjatë prillit, se nuk ka pranuar ndonjë ankesë individuale lidhur me këtë çështje.

Por, në maj, Kushtetuesja njoftoi se është paraqitur një kërkesë nga një kundërkandidat lidhur me këtë proces.

Çka përmbajnë raportet e organizatave jo-qeveritare lidhur me këtë proces?

Sipas presidentes, organizatatat monitoruese kanë dal me një raport që sipas tij koncept-dokumenti i kandidatit për kryeprokuror por edhe intervista e tij përmban mangësi serioze profesionale që nuk e kanë justifikuar poentimin thuajse maksimal të kandidatit.

Pyetjet që i janë bërë kandidatit, presidentja ka vlerësuar se kanë qenë tejet formale dhe sipërfaqësore e nuk e kanë mundësuar vlerësimin real të kandidatit apo reputacionit profesional.

Si përfundim, presidentja konsideron se KPK-ja ka anashkaluar standarde të Këshillit Konsultativ të Prokurorëve Europianë, dhe Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, rrjedhimisht ka dështuar të sigurojë procedurë të ligjshme të vlerësimit të kandidatit.

Tutje, KPK-ja ka shpërfillur edhe një raport të Komisionit për Rishqyrtimin e Kundërshtimeve, sipas presidentes duke mohuar kështu mundësinë për mjet ankimor efektiv brenda KPK-së.

Ky komision kishte konstatuar se ka pasur parregullsi lidhur me poentimin e kandidatëve dhe vlerësimi nuk ishte arsyetuar.

Janë 4 kategori të cilat sipas komisionit nuk janë arsyetuar kur janë vlerësuar; Koncept-dokumenti, Shkathtësitë Udhëheqëse dhe Menaxheriale, Njohuritë Teknike dhe të Përvojës, si dhe Integriteti i kandidatit.

Në fund të njoftimit të saj, presidentja thotë se nuk mund të qëndrojë shpërfillëse ndaj këtyre fakteve të cilat kompromentojnë njërën nga pozitat kyçe në sistemin e drejtësisë në vend.

Dokumenti i plotë i Presidentes i cili i është dorëzuar Këshillit Prokurorial të Kosovës:

LINK

 

Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë kishte reaguar pas shpalljes së konkursit për Kryeprokuror të Shtetit në janar të 2022-ës.

Kjo ambasadë kishte thënë se i ka ofruar mbështetje KPK-së në rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit por që KPK e ka shpallur konkursin pa iu kthyer përgjigje dhe pa mbështetje të Ambasadës.

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).  Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Ambasada britanike thotë se ofroi mbështetje për zgjedhjen e kryeprokurorit, por që nuk iu kthye përgjigje nga KPK

Ndaj këtij reagimi të Ambasadës së Britanisë kishte reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

KPK në reagimin e saj kishte theksuar se në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, do të ftojë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparent procesi.

KPK në reagim kishte theksuar se i ka njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë me agjendën e takimit, ku ishte caktuar si pikë e rendit të ditës propozimi për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do të vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë këtë proces”, thuhej në regimin e KPK-së.

Këshilli Prokurorial i reagon Ambasadës britanike për procesin e zgjedhjes së Kryprokurorit të Shtetit