Hashim Thaçi i Përgjigjet Tomislav Nikoliqit

Më herët gjatë ditës, Nikoliq kishte thënë se është i gatshëm të intervenojë ushtarakisht në Kosovë “nëse rrezikohen jetët e serbëve të Kosovës”.

Madje tha se do të vinte edhe personalisht.

“Nëse ata i vrasin serbët, ne të gjithë do të shkojmë atje, jo vetëm ushtria. Unë do të isha i pari, dhe kjo nuk do të ishte hera e parë”, tha Nikoliq në Beograd pas një takimi që mbajti me strukturat e sigurisë.

Retorika e Beogradit ndaj Kosovës është nxehur pasi një tren me parulla nacionaliste dhe ikonografi fetare u ndalua dje të hyjë në territorin e Kosovës.

Por Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dënoi sot gjuhën e përdorur në Beograd.

“Kërcënimet e Serbisë se janë të gatshëm për luftë dhe për të dërguar forcat ushtarake në Kosovë, flasin qartë se qëllimet e Serbisë janë të njëjta me ato të regjimit të Millosheviqit gjatë viteve të 90-ta. Këto kërcënime për luftë janë të papranueshme, në kundërshtim me dialogun për normalizim të marrëdhënieve dhe rrezikojnë drejtpërdrejtë paqen në Ballkanin Perëndimor”, tha Thaçi në një deklaratë.

Ai tha se është “i kënaqur” që është shmangur tensionimi i situatës politike dhe i sigurisë në Kosovë e rajon, duke ndaluar hyrjen eventuale ilegale të trenit propagandistik të Serbisë në territorin e Kosovës.

“Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Për këtë qëllim kemi hapur vendkalime kufitare të reja me fqinjët dhe kemi arritur marrëveshje që mundësojnë kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftim, që të gjithë qytetarët e rajonit të lëvizin pa pengesa”, u shpreh Thaçi.

“Përkundër kësaj gjuhe të vjetër kërcënuese dhe provokuese që vjen nga Serbia, unë bëj thirrje që të vazhdohet me rrugën e deritashme të dialogut, bashkëpunimit dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy shteteve dhe të punojmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai.

Sipas Presidentit Thaçi, Kosova mbetet e përkushtuar për dialog dhe bashkëpunim në shërbim të paqes dhe stabilitetin në rajon.