Seanca e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Debati për Ramush Haradinajn ‘i Degraduar e pa Nivel’

Pas më shumë se 10 orë seancë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të martën ta nxjerrin një rezolutë të përbashkët për Ramush Haradinajn, i cili po mbahet i arrestuar në një burg të Francës mbi bazën e një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet serbe të drejtësisë.

Debat të degraduar e jo përmabjtësor e quan atë që dje u diskutua në kuvend, ish deputeti Naim Maloku që vite më parë ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Ramush Haradinajt në AAK.

“Niveli i debatit tregon nivelin e të zgjedhurve tanë, mirëpo ai është edhe niveli i votuesve që i kanë votuar”, tha Maloku për KALLXO.com.

Ndërsa për analistin Ramush Tahiri, në këtë debat maratonik do të duhej të flitej me argumente juridike, e jo politike.

“Më e keqja, me gjithë debatin e zjarrtë e patriotik nuk i është ndihmu Ramush Haradinajt dhe rastit të tij”, tha ai.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme, edhe pas diskutimeve të gjata, deputetët nuk arritën të harmonizojnë qëndrimet e tyre dhe të votojnë atë për çka ishin mbledhur, rezolutën.

“Kjo flet se mospajtimet e tyre janë përmbi interesat shtetërore dhe kombëtare që i ka Kosova “, tha Tahiri për KALLXO.com.

Sipas tij, kuvendi kur debaton, përveç praktikave jo frytdhënëse të rezolutave duhet të ketë mekanizma zbatues për institucionet qeveritare.

Ndërsa Maloku thotë se Kosova ka bërë gabim që në nisjen e bisedimeve me Serbinë në vitin 2011, gabim të cilin, sipas tij, e ka përsëritur edhe në vitin 2015.

“Moment i parë është kur janë ulë në bisedime në 2011, është dashur që kushti i parë të jetë heqja e akuzave nga INTERPOL. Ndërsa moment i dytë me i heqë listat ka qenë votimi i Gjykatës Speciale. Po e votojmë, por me kushtin që lista e INTERPOL-it lë të shkojë në Speciale”, tha Maloku.

Ndërsa Ramush Tahiri thotë se ekipi negociator i Kosovës ka dështuar t’i trajtojë disa tema të ndjeshme gjatë rrjedhës së deritanishme të dialogut.

“Më shumë po kemi probleme se zgjidhje. Dialogu nuk ka alternativë por çështja është se Kosova nuk po ka agjendë në bisedime, nuk ka një listë të çështje që duhet me i bisedu me Serbinë”, tha ai.

Ramush Haradinaj është arrestuar më 4 janar në aeroportin e Baselit, ndërsa të enjten pritet vendimi i autoriteteve franceze në kërkesën për ekstradimin e tij nga shteti serb.

Arrestimi i tij në Francë ngjalli reagime të ashpra brenda Kosovës me debate të ashpra në Kuvend, kritika ndaj qeverisë si dhe protesta të qytetarëve në rrugë.

http://kallxo.com/sa-moren-sot-deputetet-buxhetit-te-shtetit-vetem-meditje/