Maloku: Kosova nuk ka arsye të ketë ndonjë shqetësim për ndonjë ndërhyrje të Serbisë

Që nga 24 shkurti, Ukraina po sulmohet ushtarakisht nga Rusia.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se “kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë” duke shtuar se pushtimi rus i Ukrainës mund të përhapet në vendet fqinje, duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Naim Maloku, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se Kosova nuk duhet të shqetësohet për ndonjë sulm të mundshëm nga Serbia.

“Kosova aktualisht është në rregull, ka përforcuar atje pikat kufitare ndërsa për tërësinë territoriale KFOR është përgjegjëse. Kosova nuk ka arsye të ketë ndonjë frikë apo shqetësim për ndonjë ndërhyrje të Serbisë”, tha ai në një intervistë për KALLXO.com.

Sipas tij, aktualisht Bosnja dhe Mali i Zi janë më të rrezikuara sesa Kosova.

“Serbia është këto ditë në një presion të madh edhe sa më shumë që zgjatë lufta atje presioni mbi Serbinë do të jetë edhe më i madh nga ana e Rusisë që me hapë Serbia frontin, fillimisht në Bosnje dhe në Mal të Zi”, vlerëson ushtaraku.

“Sa i përket Kosovës, është një fazë tjetër e konfliktit në Ballkan, vendi ynë është nën mbikëqyrjen e forcave të NATO-së dhe ndërhyrja në Kosovë e Serbisë do të thotë ballafaqim direkt i Serbisë me NATO-në”, ka thënë ai.

Tutje, ish-eprori i UÇK-së ka thënë se lufta që po ndodh në Ukrainë është një mësim i mirë për shumë vende.

“Serbia nuk e din sesi do të përfundojë lufta në Ukrainë, gjasat janë që atje të zgjas lufta dhe rusët do të humbin nëse gjatë kësaj jave nuk krijohet një kryengritje brenda Rusisë, atëherë Serbia e din që lufta atje do të zgjas dhe epilogu është se Rusia do të humbë por me viktima shumë të mëdha”, thotë ai.

“Lufta që po ndodh në Ukrainë është një leksion i madh, jo vetëm për ata që synojnë me cenuar integritetin territorial të shteteve të tjera dhe me ndërhy ushtarakisht por është edhe një leksion i madh për popujt që e kanë fatin të sulmohen me çfarëdo fuqie”, vlerëson Naim Maloku.

Ai ka komentuar edhe kërkesën e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Armend Meha, që vendi ynë të pranohet në NATO dhe që kjo organizatë e sigurisë të ndërtojë një bazë të re ushtarake në territorin tonë.

“Është mirë që ministri i Mbrojtjes del me një deklaratë të tillë por duhet të ketë parasysh që një shtet duhet të jetë i pranuar në Kombet e Bashkuara që të pranohet në NATO, pesë anëtarët e NATO-s ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe çdo anëtarësim tjetër duhet të ketë përkrahjen e të gjitha shteteve tjera”, thotë Maloku.

“Ndërsa, sa i përket kërkesës që të ndërtohet një bazë ushtarake e NATO-s është një kërkesë me vend dhe vendos vetë NATO”, ka thënë ai.

Eksperti i çështjeve të sigurisë tregon se cili është rreziku për Kosovën nga lufta në Ukrainë

www.kallo.com