Ibrahim Rugova | Foto Facebook

Liderë institucional e partiak kujtojnë ish-presidentin Rugova në përvjetorin e lindjes

Përfaqësues institucional dhe partiak të Kosovës, e kanë përkujtuar ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 77-të të lindjes së tij.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ish presidenti historik Ibrahim Rugova ka qenë ideator i Republikës së Kosovës.

“Në çdo ditëlindje të tij, ne e kujtojmë atë me mallin e respektin që bijtë e bijat e vendit e tregojnë për atin themelues të shtetit të tyre. Por, e kujtojmë edhe si njeri model, skajshmërisht të butë në pamje e në komunikim, por po kaq këmbëngulës e të vendosur në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë”, ka shkruar Osmani mes tjerash në Facebook.

Presidentja ka shtuar se do “të kujdeset maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej”.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku e ka përkujtuar ditëlindjen e ish-presidentit Rugova.

“Më 2 dhjetor të vitit 1944, lindi arkitekti i shtetit të Kosovës, prijësi historik i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, Presidenti i parë i vendit tonë, Dr. Ibrahim Rugova. Veprat e tij jetësore kanë definuar papërsëritshëm fatin e shqiptarëve në këto anë. Ato sot qëndrojnë si themele të forta e të palëkundura të lirisë sonë, të pavarësisë sonë, të Republikës sonë”, ka shkruar ai në Facebook.

Abdixhiku ka njoftuar se sot ka vizituar familjen e ish-presidentit Rugova.

“Rruga që Ibrahim Rugova nisi e trasoj, trashëgimia politike që la pas, mbesin dritë prijëse për secilin prej nesh në LDK. Këto vlera themeltare për organzimin tonë politik do t’i kultivojmë, ruajmë e promovojmë me plot përkushtim. Sot, me bashkëpunëtorë vizituam familjen e Presidentit Rugova, zonjën Fana e trashëgimtarët e familjes. Shënuam 2 dhjetorin e tij sepse Presidenti ka vetëm ditëlindje”, thuhet në publikimin e tij.

Ndërkaq, kryetari i Alancës për Ardhmëriënë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se ndihet me fat që ka qenë bashkëpunëtor i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Në ditëlindjen e tij, me të drejtë e quaj fat për mua të isha bashkëpunëtor i Presidentit Rugova, saktësisht në vitet e para të lirisë, atëherë kur kishte shumë probleme e tema pakufi. Duke kujtuar idetë, qëndrimet, vendosmërinë por edhe mbështetjen e tij në kohën kur ballafaqohesha me drejtësinë ndërkombëtare, figura e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, mbetet përjetësisht e respektuar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë të komunës së Istogut. Rugova ka qenë themeluesi i partisë së parë politike në Kosovë -LDK-së. Ai ka qenë presidenti i parë i Kosovës.

Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006 pas një sëmundje të rëndë.