Foto: Ilustrim

Arrestohet i Mituri Pasi Lëndoi Nxënësit me Sprej

Një i mitur është arrestuar nga Policia në Ferizaj pasi dyshohet se kishte hedhur një sprej (OC) të martën, në një nga klasat e shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica” të Ferizajt, ku mbeten të lënduar tetë nxënëse të kësaj shkolle.

Pas hetimeve përmes rrugëve operative në terren, hetuesit Stacionit Policor të Ferizajt kanë arritur ta zbulojnë të dyshuarin i cili është i mitur dhe është nxënës i një shkolle tjetër të Ferizajt.

Sipas njoftimit të policisë i dyshuari është paraqitur dje në polici bashkë me prindin dhe është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës sipas detyrës zyrtare dhe të zyrtarit social të QPS-së. I dyshuari, e ka pranuar se e ka hedhur sprejin duke deklaruar se kishte menduar se është deodorant.

Lidhur me rastin, prokurori ka urdhëruar që i dyshuari të ndalet për 24 orë ndërsa rasti të procedohet në procedurë të shpejtë gjyqësore.