Arikiv - FOTO KALLXO

24 grave të kthyera nga Siria u vazhdohet masa e arrestit shtëpiak, katër të tjera lirohen

Gjykata e Prishtinës duke vendosur në kërkesën e Prokurorisë Speciale ka marrë vendim që ndaj 24 grave të kthyera nga Siria të vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë, ndaj 4 grave është zëvendësuar masa me paraqitje në Stacion Policor, ndërsa 4 gra të tjera janë liruar nga arresti shtëpiak.

Gjatë muajit prill 32 gra janë kthyer nga Siria pas një aksioni masiv të rikthimit të kosovarëve nga atje.

32 të dyshuarave Gjykata e Prishtinës qysh nga muaji prill u kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Ditë më parë Prokuroria Speciale bëri të ditur për KALLXO.com se ka bërë kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj grave të kthyera nga Siria.

Meqë për 4 nga 32 gra të dyshuara nuk ka pasur kërkesë për vazhdim të masës nga Prokuroria, të njëjtat janë liruar nga arresti shtëpiak.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur, zyrtarja për informim e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim dhe 24 të pandehurave ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje edhe për nga 2 muaj për secilën veç e veç, për 4 të pandehura është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor, ndërsa për katër të pandehura nuk ka pasur kërkesë për masë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Gjykata e Prishtinës.

Gratë e kthyera nga Siria pretendohet se kanë qenë duke qëndruar në Siri në kohën e luftimeve, bashkë me burrat përkatësisht baballarët e tyre.

Nga Siria bashkë me rreth 110 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë të kosovarëve që kanë luftuar përkrah grupeve të ndryshme në Siri e Irak, janë kthyer edhe katër të dyshuar për pjesëmarrje si luftëtarë në këto luftëra.

Nga 110 të kthyerit , 32 prej tyre janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra.

Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.

Sipas të dhënave në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë rast, raportimet mund t’i gjeni në këtë link.