Ilustrim

Gjykata u cakton arrest shtëpiak edhe grupit të tretë të grave të kthyera nga Siria

Edhe tri grave dhe dy vajzave të mitura të kthyera nga Siria, të cilat sot dalën para Gjykatës në Prishtinë nën dyshimin se që nga viti 2014 e deri në prill të këtij viti kanë qenë në zonën e konfliktit Siri-Irak, u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com tri gratë nga Siria kanë qenë të shtrira në spital për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Gjatë kësaj jave, para Gjykatës kanë dalë edhe 28 gra të tjera, të kthyera ditën e shtunë nga Siria.

Të gjithave gjykata u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurat që nga viti 2014 e deri me datë 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit Siri-Irak.

Avokatja e njërës prej grave të kthyera nga Siria ka treguar për KALLXO.com se si klientja e saj nga rrethanat ishte detyruar që të martohej tri here.

32 gra janë kthyer nga Siria pas një aksioni masiv të rikthimit të kosovarëve nga atje.

Ato kanë qenë duke qëndruar në Siri në kohën e luftimeve, bashkë me burrat përkatësisht baballarët e tyre.

Nga Siria bashkë me rreth 110 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë të kosovarëve që kanë luftuar përkrah grupeve të ndryshme në Siri e Irak, janë kthyer edhe katër të dyshuar për pjesëmarrje si luftëtarë në këto luftëra.

Nga 110 të kthyerit , 32 prej tyre kanë qenë gra dhe 74 fëmijë, të cilët kanë qëndruar në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll të Prishtinës, për tri ditë me radhë apo 72 orë.

Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.

Sipas të dhënave në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.

https://kallxo.com/nga-sa-femije-i-kane-grate-e-kthyera-nga-siria/