Thaçi 'merr në pyetje' Komisionin Hetimor për deportimin e shtetasve turq

Për disa minuta prej se ka filluar raportimi i Presidentit Hashim Thaçi para  Komisionit Parlamentar Hetimor për deportimin e shtetasve turq ai ka bërë më shumë pyetje sesa deputetët e komisionit.

Ai ka kërkuar nga kryetari i Komisionit, Xhelal Sveçla që të japë detaje për përbërjen e komisionit por edhe informacione rreth ekspertit të angazhuar në këtë çështje.

“Por para së të fillojmë kisha pasur disa pyetje për juve si komisioni për aspekte procedurale: unë do të kisha dashur si presidenti por edhe si qytetar që para se të fillojmë do të ishte me interes që të dimë se kush janë prezent në takim dhe kë e përfaqësojnë “, tha Thaçi.

E Sveçla prezantoi edhe një herë përbërjen e komisionit si dhe stafin mbështetës.

Kurse Thaçi pati kërkesë që ta shoh edhe CV-në e ekspertit amerikan të angazhuar.

“Kush është eksperti dhe po dëshiroj të shoh një cv që e ka dhe qysh e ka ndërtu raportin sepse kjo lidhet me çështje ndërkombëtare. Kërkoj procesverbalin e asaj dite kur komisioni ka miratuar atë ekspertë. Ta di para kujt të jap deklaratë dhe nga kush futet për ne ekspertizë”, tha Thaçi.

Ndërsa Sveçla i tha se kërkesën e CV-së është dashur ta bëjë ma herët stafi i presidentit.

“Do të jua përcjellim me shkrim kush është eksperti. Eksperti është doktorant i shkencave juridike Teinmu” shtoi ai.

Para kësaj here Thaçi katër herë radhazi nuk kishte shkuar për t’u intervistuar në komision. Njëra ishte para tre ditësh, ku Thaçi për herë të parë kishte kërkuar që ta shtyjnë atë për sot.

Ndërsa herave të tjera anëtarët e komisionit arsyet e mos shkuarjes së tij për intervistim në komision i merrnin përmes mediave.

https://kallxo.com/thaci-lejon-mediat-ne-raportimin-e-tij-per-deportimin-e-gylenisteve/