Samsung me plane për një model të ri telefoni fleksibël

Ekziston një konkurrencë në rritje në tregun e telefonave të mençur me një ekran fleksibël. Vetëm në tre muajt e fundit janë prezantuar 13 modele të reja të telefonave fleksibël dhe pritet që oferta në treg të rritet vazhdimisht dhe një ditë prodhuesi i dytë më i madh i celularëve në botë, Apple, mund t’i bashkohet lojës, e cila është ende mjaft e kujdesshme kur është në pyetje këtë kategori pajisjesh.

Nga ana tjetër, kompania që e dominon jo vetëm tregun e celularëve, por edhe atë fleksibël të telefonave të mençur, ka plane të mëdha për t’i rritur shitjet dhe për të tërhequr sa më shumë blerës të pajisjeve me ekrane fleksibël. Dhe këto plane i referohen një pajisjeje me çmim më të pranueshëm krahasuar me modelet e tyre aktuale, por edhe pajisje të tjera në treg.

Megjithëse cilësia e ekraneve fleksibël ende nuk mund të krahasohet me telefonat klasikë, teknologjia po bëhet më e mirë dhe për shumë, çmimi është një problem shumë më i madh se telefonat e mençur të zakonshëm. Samsung dëshiron ta ndryshojë këtë dhe, sipas thashethemeve të fundit, ata po planifikojnë një telefon të mençur të rangut të mesëm me një ekran fleksibël, i cili do të ketë një çmim më të ulët. Edhe pse nuk dihet se çfarë lloj pajisjeje do të jetë, mund të supozohet se do të bëhet në një stil të palosshëm si modelet e serisë Flip, të cilat janë më të lira në krahasim me modelet e serisë Fold, të cilat janë një lloj hibrid midis një telefoni dhe një tableti.

Madje në internet përmendet se mund të jetë një pajisje nga seria FE, ose Fan Edition, në të cilën Samsung kombinon pajisje të shkëlqyera dhe opsione të avancuara me një çmim të përballueshëm. Prezantimin e Samsung Galaxy Flip SE mund ta presim vitin e ardhshëm, ndoshta gjatë konferencës Unpacked, ku kompania koreano-jugore do ta prezantojë gjeneratën e re të telefonave nga seritë Fold dhe Flip.

Në atë konferencë, Samsung mund të prezantojë disa risi të tjera përveç telefonave të mençur me ekrane fleksibël. Përkatësisht, sipas thashethemeve që u përhapën në rrjet këtë javë, kompania po planifikon edhe pajisjen e saj për realitetin virtual, me të cilën synon të konkurrojë me Apple dhe modelin e saj Vision Pro, i cili duhet të dalë në shitje në fillim të vitit të ardhshëm. Nëse këto thashetheme janë të vërteta, një nga ngjarjet më interesante të Samsung-ut na pret në gjysmën e dytë të vitit, ku përveç pasardhësve të pritur të modeleve Fold dhe Flip, mund të presim një telefon të mençur fleksibël më të përballueshëm, si dhe një pajisje AR/VR./Tech Times