Të fiksuar pas telefonave: Pas vetëm 15 minutash vozitje, duhet t’i shikojnë telefonat e tyre

Janë publikuar rezultatet mbi zakonet e vozitjes së britanikëve, dhe një pjesë veçanërisht interesante lidhet me përdorimin e telefonave intelegjentë gjatë vozitjes.

Vetëkuptohet se sa i rrezikshëm është përdorimi i telefonave mobilë gjatë ngasjes së automjetit dhe për shkak të vetëm një mesazhi, telefonate apo pëlqimi në rrjetet sociale, dikush mund ta humbasë jetën. Por, pavarësisht nga të gjitha rreziqet, janë të shumtë ata që nuk mund t’i rezistojnë dëshirës për të ulur të paktën për një kohë kokën drejt ekranit të telefonit gjatë ngasjes së automjetit.

Sipas sondazhit të fundit të kryer në mesin e afro 1400 shoferëve mbi 17 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar, pothuajse një e treta e tyre mendojnë t’i kontrollojnë telefonat e tyre gjatë vozitjes. Në hulumtim, theks i madh i është vënë të ashtuquajturit Gjenerata Z, pra të rinjtë e lindur në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, dhe një e katërta e tyre kanë nevojë ta shikojnë telefonin e tyre vetëm 15 minuta pasi e marrin timonin në duar.

Ndërkohë që një numër i madh shoferësh kanë dëshirën dhe nevojën të kontrollojnë nëse dikush u ka dërguar mesazh, komentuar statusin e tyre në rrjetet sociale e të ngjashme, pavarësisht rreziqeve, shumë e bëjnë këtë përfundimisht. Hulumtimet e publikuara në faqen Carmats.co.uk tregojnë se rreth 40 për qind e të anketuarve përdornin telefona ndërsa ngasin automjetin, ndërsa një në dymbëdhjetë persona, teksa njërën dorë e mbajnë në timon, shkruajnë mesazhe me dorën tjetër.

Përdorimi i telefonave mobilë gjatë ngasjes së automjetit është një nga shkeljet më të rënda që shpeshherë e bëjnë ngasësit e automjeteve dhe ky hulumtim ka treguar se në mesin e 10 shkeljeve të rënda më të shpeshta që bëjnë shoferët, katër prej tyre lidhen me përdorimin e telefonit mobil. Ndërkohë që ngasja nën ndikimin e alkoolit vjen e para, mesazhet e lartpërmendura gjatë drejtimit të automjetit janë në vendin e dytë për shkeljet më të rënda që bëjnë shoferët (8 për qind), gjashtë për qind e tyre kanë pranuar se e kanë fotografuar skenën e një aksidenti trafiku, në vendin e shtatë është përdorimi i rrjeteve sociale gjatë vozitjes (4 për qind), ndërsa në vendin e nëntë është shkrepja e selfieve gjatë vozitjes, gjë që e bëjnë 3 për qind e shoferëve.

Përveçse është i rrezikshëm, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së aautomjetit është gjithashtu i ndaluar dhe i dënueshëm. Dënimet ndryshojnë nga shteti në shtet, por gjoba ose humbja e patentës është problemi më i vogël, sepse për shkak të një momenti pakujdesi gjatë të cilit vështrimi përqendrohet në ekran në vend të rrugës, mund të ndodhë tragjedi dhe humbje jete./The NY Post

Përgatiti: Nuhi Shala