Trajneri i Prishtinës dhe mbrojtësi Leotrim Bekteshi premtojnë maksimumin ndaj Dritës në Superkupë

Të shtunën do të shkruhet historia në futbollin kosovar, pasi për herë të parë do të zhvillohet Superkupa e Kosovës, jashtë Kosovës.

Drita – Prishtina, do të luajnë të shtunën në kuadër të Superkupës së Kosovës.

Ndeshja do të luhet në Turqi, më saktësisht në stadiumin “Maradan” në Antali.

Sfida e parë zyrtare për vitin 2021, do të jetë kjo e Superkupës për të dy skuadrat.

Në një bisedë për KALLXO.com, trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani dhe qendërmbrojtësi Leotrim Bekteshi kanë folur për ndeshjen e Superkupës ndaj Dritës.

Ramadani ka thënë se është i kënaqur me kushtet në Turqi, por ai ka zbuluar se nuk mund të llogarisë në sulmest Mankenda, Otto John dhe portierin Muqiqi.

“Jam i kënaqur me ekipin dhe me kushtet që i kemi këtu. Çdo ditë ekipi po ndryshon ritëm dhe ngadalëdalë po merr forcën e duhur. Për Superkupën kemi tri mungesa, Mankenda, Otto John dhe Muqiqi”, ka treguar Zekirija Ramadanni për KALLXO.com.

Zekirija Ramadani pret një ndeshje të vështirë ndaj Dritës edhe pse nuk janë në formën optimale, por gjithsesi timonieri i kryeqytetasve pret paraqitje të mirë nga djelmoshat e tij.

“Gjithsesi që nuk mund të jemi 100 për qind sepse jemi në fazë të përgatitjeve, e kemi vlerësuar ndeshjen, por assesi nuk iu kemi shmangur stërvitjeve me ngarkesë fizike, sepse Superkupa është një ndeshje, kurse kampionati është më i gjatë. Do të jetë një ndeshje interesante, ku do të mundohemi edhe ne edhe Drita të bëjmë paraqitje të mirë dhe është mirë që po zhvillohet këtu, sepse kushtet janë më të mira”, ka përfunduar Ramadani.

Qendërmbrojtësi Leotrim Bekteshi thotë se janë të gatshëm për ndeshjen e nesërme ndaj Dritës.

“Stërvitjet po ecin shume mirë. Po kemi filluar shumë mirë këtu nga dy herë në ditë dhe kushtet janë shumë të mira për punë. Jemi në fazën përgatitore dhe jemi të gatshëm ta zhvillojmë ndeshjen e Superkupës në Turqi”, ka thënë qendërmbrojtësi Leotrim Bekteshi.

Bekteshi kërkon fitore ndaj Dritës e cila do t’ia sillte një trofe.

“Ballafaqimi është gjithmonë i vështirë kur përballemi me Dritën i cili është kundërtar i yni edhe në ndeshjen e Kupës së Kosovës. Si në çdo ndeshje tjetër edhe këtë ndeshje të Superkupës luajmë për fitore, sepse luajmë për një trofe”, ka cekur Bekteshi.

Pjesën më të rrezikshme te Drita, Leotrim Bekteshi e konsideron fazën e sulmit.

“ Drita ka lojtarë shumë të mirë, nuk dua ta veçoj dikënd, por në sulm janë të rrezikshëm dhe po shpresoj që t’ia dalim”, ka përfunduar Leotrim Bekteshi.

Dy takimet e fundit në sezonin vjeshtor 2020/2021, mes Dritës dhe Prishtinës kanë përfunduar me barazim.

 

Trajneri dhe kapiteni i Dritës flasin para ndeshjes me Prishtinën