Trajneri dhe kapiteni i Dritës flasin para ndeshjes me Prishtinën

Drita – Prishtina, do të takohen të shtunën nga ora 12:00, në kuadër të Superkupës së Kosovës.

Ndeshja do të luhet në Turqi, më saktësisht në stadiumin “Maradan” në Antali.

Për të dy skuadrat kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare për vitin 2021.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu dhe kapiteni Ardian Limani kanë folur për KALLXO.com, për ndeshjen ndaj Prishtinës.

Ardian Nuhiu, ka treguar se është i kënaqur nga kushtet e punës në Turqi, duke i falënderuar lojtarët e tij për përkushtimin ndaj stërvitjeve.

“Kushtet atmosferike janë shumë të mirë, kushte fantastike për punë. Grupi po stërvitet dhe po merr ngarkesën e duhur për t’u përgatitur sa më mirë. Dua t’i falënderoj djemtë për përkushtimin ndaj punës, sepse e dimë që kjo fazë është mjaft e vështirë. Po kompletohet skuadra dalëngadalë. Cuculi ka filluar stërvitjet me ekipin, Maloku për disa ditë presim që stafi mjekësor të jep dritën jeshile për t’u futur në grup”, ka thënë fillimisht Ardian Nuhiu, për KALLXO.com.

Nuhiu është i vetëdijshëm se skuadra e tij ende nuk është në maksimumin e saj, pasi është në fazën fillestare të përgatitjeve.

“Jemi të vetëdijshëm që skuadra ende nuk është tek maksimumi i saj, sepse është veç faza fillestare e përgatitjeve. Duhet një menaxhim i mirë i forcave të djemve”, ka treguar Nuhiu.

Trajneri i gjilanasëve pret një takim të fortë ndaj Prishtinës të shtunën në mesditë.

“Pres një përballje të fortë, takohen dy skuadra me shumë futbollistë cilësor, skuadra ku vitet e fundit kanë fjalën kryesore në kampionat. Do të jetë ndeshje historike, përshkak që është hera e parë që zhvillohet jashtë vendit, në një stadium shumë të mirë dhe besoj të shohim një ndeshje të bukur, pavarësisht që nuk janë te maksimumi i tyre futbollistët e dyja skuadrave, ata do të jenë të motibvuar për të bërë një ndeshje të mirë”, ka vlerësuar trajneri shkupjan.

Ai ka thënë se duhet të jenë të kujdesshëm ndaj Prishtinës në ndeshjen e të shtunës, dhe do t’i kundërpërgjigen me forcat e tyre.

“ Prishtina ka forca, atë e dëshmoj nga fundi i pjesës së parë të kampionatit, duhet të jemi të kujdesshëm, por kemi edhe ne kemi forcat tona dhe do të mundohemi që t’i kundërpërgjigjemi”, ka thënë trajneri i Dritës.

Ardian Nuhiu e pranon se ndeshjet e tilla vendosen nga një detaj i vogël.

“Në çdo repart janë mirë, por gjithmonë ndeshje të tilla vendosen nga një detaj i vogël apo ekipi i cili gabon më pak del fitues”, ka thënë Nuhiu.

Kapiteni i gjilanasve, Ardian Limani, ka thënë se nuk janë në maksimumin e tyre për këtë ndeshje, por përkundër ksaj, do ta japin maksimumin që titullin ta sjellin në Gjilan.

“Jemi në përgatitje e sipër. Padyshim që nuk jemi në maksimumin tonë, mirëpo është e njëjta situatë ër të dy ekipet, kështu që do të mundohemi ta bëjmë më të mirën për ta fituar më të mirën”, ka thënë fillimisht kapiteni i Dritës për KALLXO.com.

Limani pret ndeshje të fortë ndaj Prishtinës, pasi sipas tij kryeqytetasit kanë treguar futboll të mirë në sezonin vjeshtor.

“Prishtina ka treguar futboll të mirë këtë vit, është skuadër shumë e fortë dhe e konsideroj si ndeshje shumë të fortë”, e ka vlerësuar Limani Prishtinën.

Mbrojtësi i Dritës, ka thënë se e kanë analizuar Prishtinën dhe i dinë pikat e forta të tyre.

“Në çdo ndeshje ne bëjmë analiza të detajuara për kundërshtarin përmes video-analizave. Ne i dimë pikat e tyre të forta, mirëpo edhe ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë ndonjë dobësi të tyre”, ka treguar 27 vjeçari.

Lojtarin më të rrezikshëm te Prishtina, Ardian Limani e cilëson mesfushorin Endrit Krasniqi.

“Unë mendoj që Endrit Krasniqi është motori i skuadrës së tyre. Ai lëviz shumë mbrapa mesfushorëve dhe shpesh bëhet sulmues i rrejshëm. Ne e njohim mirë Endrin dhe çdo lojtar tjetër të tyre”,  ka thënë ai.

Ardian Limani thotë se edhe po ta fitonin apo humbnin Superkupën, nuk do të tregonte forcën e vërtetë të tyre, pasi nuk janë në formën optimale, duke e pasur parasysh puazën e pushimit dimror pas përfundimit të sezonit vjeshtor.

“Superkupa nuk është se do të thotë shumë për ne në vazhdim, sepse nuk jemi në maksimum, por çdo paraqitje e mirë është sinjal për forcën tonë”, ka përfunduar futbollisti gjilanas.

Dy takimet e fundit në sezonin vjeshtor 2020/2021, mes Dritës dhe Prishtinës kanë përfunduar me barazim.