Rashica: Motivimi është i madh për ndeshjet ndaj Greqisë dhe Spanjës

Kosova fitoi me rezultat 0-1, ndaj Gjeorgjisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Rashica i mungoi Kosovës në duelin ndaj Gjeorgjisë, ai nuk kishte udhëtuar fare me ekipin për të evituar karantinimin kur të kthehet te Norëich City, për shkak se Gjeorgjia është në “listën e kuqe” të Britanisë për situatën me koronavirus.

Sulmuesi i Kosovës, shpreson që të luajnë mirë për ndeshjen ndaj Greqisë të dielën mbrëma.

“Normal, dëshira ime ka qenë të jem pjesë e skuadrës ndaj Gjeorgjisë për t’i ndihmuar bashkëlojtarët, por ata e kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë dhe besoj që me këtë fitore është rikthyer edhe motivimi. Shpresoj që të luajmë edhe më mirë në ndeshjen tjetër që e kemi me Greqinë, që po ashtu është e rëndësishme. Pres që edhe në ndeshjet e tjera të mos dorëzohemi, sikurse që nuk u dorëzuam ndaj Gjeorgjisë. Duhet të angazhohemi maksimalisht për të pasur sukses”, është shprehur Rashica.

Sulmuesi i Norëichit ka potencuar se fitorja ndaj Gjeorgjisë ka ardhur në momentin e duhur dhe se janë të motivuar për ndeshjet ndaj Greqisë dhe Spanjës.

“Fitorja ka ardhur në momentin e duhur, pasi kishim disa rezultate të këqija më herët dhe motivimi është më i madh për ndeshjet e tjera, kështu që shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm. I kemi dy ndeshje të vështira, por ne duhet të përdorim motivimin e duelit me Gjeorgjinë dhe në të dyja ndeshjet të futemi për fitore. Dëshira ime e madhe do të ishte që stadiumi të ishte i mbushur me tifozët tanë, por edhe ata që do të jenë të pranishëm besoj se do të na motivojnë edhe më shumë për këtë ndeshje”, ka deklaruar Rashica.

Milot Rashica pritet të jetë startues ndaj Greqisë, ndeshje që luhet të dielën nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.