Një lojtar i Dritës diagnostikohet me coronavirus

Klubi futbollistik Drita, ka konfirmuar se një lojtar ka rezultuar pozitiv me coronavirus.

Klubi gjilanas ka bërë të ditur se lojtari i infektuar me coronavirus ka qenë jashtë Kosovës.

Lojtari i infektuar me COVID-19, sipas skuadrës gjilanase nuk ka shfaqur simptome dhe do të vazhdojë qëndrimin në shtëpi.

Drita ka shprehur shqetësimin për këtë situatë dhe ka bërë thirrje që të testohen lojtarët dhe anëtarët e stafit të kësaj skuadre.

“Sot është pritur që klubit t’i bashkëngjiten edhe lojtarët tjerë që janë jashtë Kosovës, por kemi marrë një lajm aspak te mirë, sepse njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv në testimin për Covid-19. Lojtari deri tani nuk ka shfaqur simptoma dhe do të vijojë të qëndrojë i izoluar në shtëpi. Jemi shumë të brengosur nga kjo situatë dhe kërkojmë nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë si dhe nga FFK që tu bëhen testet çdo futbollisti dhe çdo personi që involvohet në aktivitete sepse në të kundërtën mund të rrezikojmë shëndetin e të gjithë komunitetit të futbollit. Klubi i dëshiron shërim sa më të shpejt lojtarit dhe do ti qëndroj pranë në çdo rrethanë!” ,  thuhet në njoftimin e Dritës.

Kujtojmë se klubet e Superligës së Kosovës në futboll kanë marrë dritën e gjelbër në fillimin e kësaj jave që të kthehen në stërvitje.

Futbolli në Kosovë do të rifilloj me ndeshjet e Kupës me 2 dhe 3 qershor.