Kosova U21 nis përgatitjet për ndeshjen ndaj Andorrës (VIDEO)

Kombëtarja e Kosovës U21 ka nisur përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Europian 2023, që do ta zhvillojë më 8 qershor ndaj Andorrës në Prishtinë.

Përzgjedhësi Michael Nees së bashku me ndihmësit e tij, Bekim Isufi, Alan Clark dhe Naser Prapashtica e kanë nisur punën me Dardanët e rinj, të martën, në Kampin Edukativ Nacional të FFK-së në Hajvali.

Në stërvitjen e parë ishin 21 prej 31 futbollistëve sa janë të përfshirë në listën e zgjeruar të përzgjedhësit Nees.

Pjesa tjetër e futbollistëve do t’i bashkohen ekipit në ditët e ardhshme pasi t’i kryejnë obligimet me klubet e tyre, derisa më pas lista e futbollistëve do të reduktohet në 24, e të cilët do t’i vazhdojnë përgatitjet intensive për duelin me Andorrën.