Koreografia me tanke e Crvena Zvezda, FFK deponon ankesë në UEFA

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka reaguar ndaj koreografisë së tifozëve të klubit serb Crvena Zvezda, gjatë ndeshjes së djeshme ndaj Fiorentinës në Beograd.

FFK-ja ka bërë të ditur se ka dorëzuar ankesë në UEFA, duke kërkuar nga organet e këtij institucioni që të hetojnë me urgjencë këtë rast.

“Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonin tonë, e sidomos në periudhën e tensioneve mes dy vendeve” – thuhet në reagimin e Federatës kosovare.

“Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës”.

Tutje, FFK-ja ka thënë se ky rast bën të kuptohet se duhet urgjentisht që organet e UEFA dhe FIFA të marrin masa më të ashpra kundër shkeljes së parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit.

“Shpresojmë dhe besojmë që ankesa e reagimi jonë do të merret seriozisht dhe ata që nxisin urrejtje nëpërmjet futbollit do të ndëshkohen. FFK do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit, pasi është e vetëdijshme se një mjedis i sigurt dhe i respektueshëm në stadiume është thelbësor për të përjetuar emocionin e futbollit në mënyrë pozitive” – thuhet në fund të reagimit të Federatës së Futbollit të Kosovës.