Konferenca e sindikatës | Foto: KALLXO.com

Sindikata lut kryeministrin për rritje të pagës minimale

Kryetari i të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi tha se kjo sindikatë është e ndarë e pakënaqur nga takimi me Kryeministrin Haradinaj.

Sipas Jusuf Azemit, tri kërkesat kryesore të sindikatave gjatë protestës së 1 majit (zbatimi i ligjit të punës, nënshkrimi i kontratës kolektive dhe rritja e pagës minimale në 250 euro) nuk e ka gjetur mbështetjen Haradinajt dhe nuk janë diskutuar në mbledhjet e Qeverisë.

“Ne si Sindikatë e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës jemi ndarë të zhgënjyer me takimin që e kemi pasur me kryeministrin”, u shpreh ai duke komentuar rreth takimit.

Haradinaj u kishte thënë sindikalistëve se në mbledhjen e parë të qeverisë do të ngriheshin shqetësimet e tyre.

“Në mbledhjen e parë të Qeverisë do të ngrihen shqetësimet e shprehura nga ana juaj. Nuk do të rrimë në pritje dhe do të ndërmarrim veprime konkrete në realizimin e kërkesave për të drejtat e punëtorëve në vend”, thuhej në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit të lëshuar pas takimit me sindikalistët.

Veç tjerash Azemi i bëri lutje kryeministrit për rritje të pagës minimale.

“Sa i përket çështjes së nënshkrimit të pagës minimale, po e themi me plot përgjegjësi, e lusim kryeministrin sepse është në interes edhe të vetë kryeministrit…Ju lutem kryeministër mos i merrni në qafë të gjithë punëtorët e një kategorie të cilët marrin pagë 230-170 euro”, tha ai duke shtuar se paga minimale kosovare është më e ulëta në rajon.

Gjithashtu, ai i tregoi edhe disa statistika e vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës.

“Në vitin 2016 i kemi 14 raste të rasteve të vdekjeve. Në vitin 2017 i kemi 20 raste të vdekjeve në vend të punës, 4 raste i kemi diskutabile për shkak se mjekësia ligjore dyshon se 4 raste kanë qenë të natyrshme… Në vitin 2018, në sektorin privat, vetëm në tre muajt e parë i kemi 4 raste të vdekjeve të punëtorëve në vend të punës”, u shpreh Azemi.

Më 1 Maj në Ditën Ndërkombëtare të Punës u protestua në Prishtinë.