Shpallet i Pafajshëm Ish-Kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli

Në Gjykatën Themelore në Gjilan u mbajt sot seanca përfundimtare, ku të akuzuar janë ish-kryetari i Kamenicës Shaip Surdulli, dy zyrtarëve të kësaj komune dhe një biznesmen.

Zyrtarët në fjalë akuzoheshin për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Pas fjalëve përfundimtare si nga prokurori dhe avokatët, trupi gjykues shpalli aktgjykim lirues për të gjithë të akuzuarit në rastin e ashtuquajtur “Pastrimi i Lumit Krivareka”

Kryetari i trupit gjykues Afrim Shala në arsyetimin e vendimit tha që gjykata gjatë shqyrtimit të të gjitha provave dhe dëshmive, nuk ka arritur që edhe për as një moment t’i gjejë fajtorë të akuzuarit Shaip Surdulli, Sadik Thaqi, Izet Thaqi e Ali Kastrati.

Shaip Surdulli u shpreh i lehtësuar për përfundimin e kësaj seance të gjatë për KALLXO.com dhe ritheksoi pafajësinë e tij, të provuar edhe nga gjykata.

“Ka qenë një proces mjaft i gjatë gjyqësor që ka filluar që gati dy vite. Ne jemi thirrur në disa seanca shqyrtuese, fillestare dhe sot ishte përfundimtarja, dhe muj me thon që nuk është dasht fare me u ngrit kjo aktakuzë për shkak se kemi qenë shumë të sigurtë që nuk kemi ba ndonjë far keqpërdorimi të pozitës zyrtare. Megjithatë, prokuroria kishte ngritë një aktakuzë me të cilën jemi ballafaqu dhe gjykata sot ka marrë një vendim të drejtë dhe real, dhe na ka liruar të gjithëve nga aktakuza”, tha Surdulli.

Prokuroria Themelore në Gjilan akuzon Surdullin se në tetor 2011 në cilësi të kryetarit të Komunës së Kamenicës ka shpërdoruar detyrën zyrtare.

Ai akuzohet se ka provuar t’i sjellë dobi pasurore vetes ose tjetrit, ashtu që si menaxher i projektit “Pastrimi i Lumit Krivareka” ka lejuar ngritjen e vëllimit të punëve, ashtu që kompania fituese ka marrë 145,000 euro, kurse kontrata ishte e paraparë në shifrën prej 138,000 eurove.

I akuzuari Sadik Thaqi, po ashtu, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, pasi si menaxher i zyrës së prokurimit nuk ka ushtruar kontrollin e duhur mbi realizimin e projektit, duke lejuar pagesën e lartcekur në kundërshtim me kontratën.