Shpallen të Pafajshëm Dy të Akuzuarit për Vrasjen e Enver Zymberit

Në gjykatën në veri të Mitrovicës sot janë shpallur të pafajshëm Radovan Radiq dhe Millovan Vllaskoviq, të akuzuarit për pjesëmarrje në vrasjen e policit Enver Zymberi.

Aktakuza kundër Radovan Radiqit dhe Millovan Vllaskoviqit i kishte shtatë pika.

Për tri pikat e para, vrasje të rëndë, vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje ata u shpallën të pafajshëm.

Vendim të njëjtë gjykata mori edhe për pikën e katërt që kishte të bënte me rrezikim të sigurisë së përgjithshme, për të pestën që lidhej me pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare dhe për rrezikim komunikacioni që ishte pika e gjashtë e aktakuzës.

Të pafajshëm Radiq e Vllaskoviq u shpallën edhe për pikën e shtatë-pjesëmarrje në grupin që kryen vepër penale.

Të enjten dhanë fjalën përfundimtare avokatët e këtyre dy të akuzuarve-Zhivojin Jokanoviq dhe Agim Lushta. Jokanoviq në këtë proces gjyqësor mbron Radovan Radiqin, ndërsa Lushta Millovan Vllaskoviqin.

Të akuzuar lidhur me vrasjen e Enver Zymberit në një gjykim tjetër janë edhe Sllobodan Sovrlliq dhe Radomir Kasalloviq.

Dy persona tjerë po për këtë vrasje janë duke u kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, pasi ende ndodhen në arrati.