Zyrtari i MPJ-së Nuk i Deklaroi 8,000 Euro

Xhelal Shaqiri, zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit në vitin 2014 dhe 2015 nuk i kishte deklaruar rreth 8,000 euro, të hyra të realizuara nga angazhimi i tij 17-muajsh si konsulent i jashtëm i “International Management Group” (IMG) në projektin e vizave.

Këto të ardhura ai i ka deklaruar vetëm tani, në deklarimin e pasurisë më 2016.

Arsyet pse i ka deklaruar tani këto të hyra nuk dihen. I kontaktuar nga KALLXO.com, Xhelal Shaqiri nuk ka pranuar të deklarohet rreth kësaj çështjeje.

Ai ka thënë se çdo komunikim duhet drejtuar përmes zyrës për media në MPJ.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Sipas përgjigjes së kthyer nga kjo Ministri, Xhelal Shaqiri ka qenë zyrtari i vetëm shtetëror i cili ka qenë i angazhuar në Projektin e Vizave.

“Ai është i vetmi nëpunës i MPJ-së që ka qenë koordinator i projektit si zyrtar për çështje konsullore. Ai është angazhuar për dy periudha për punë shtesë nga 1 tetor 2013 deri më 30 nëntor 2014 dhe 16 mars 2015 deri në qershor 2015. Aq sa jemi informuar dhe raportuar nga implementuesi, IMG ka paguar shtesë prej 500 eurove për punë mbi orar punës (overtime). Baza ligjore e cituar si pikënisje nga implementuesi ka qenë Rregullorja nr. 14/20121 për funksionimin e fondit shtesë për kuadro”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Sipas përgjigjeve të MPJ-së del se Xhelal Shaqiri ka qenë i angazhuar rreth 17 muaj në projektin e vizave dhe për këtë ai është paguar 8,000 euro, apo nga 500 euro në muaj nga implementuesi i këtij projekti – IMG.

Argjent Karai, nga organizata IMG në përgjigjet e tij për KALLXO.com e ka konfirmuar se Xhelal Shaqiri është zyrtari i vetëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës i cili ka qenë i angazhuar në projektin e vizave.

“Zotëri Xhelal Shaqiri është i vetmi punëtor i MPJ që ishte angazhuar në projekt nëpërmjet të përcaktimit nga MPJ si kryesues i Qendrës së Vizave (një organ i sapo formuar brenda Ministrisë) dhe ishte angazhuar për periudhën: 1 Tetor 2013 deri më 30 Nëntor 2014; si dhe në periudhën e dytë prej 16 Mars 2015 deri më 15 Qershor 2015 për këtë detyrë. IMG ka administruar pagesën e pjesshme për mbështetje teknike dhe të menaxhimit të projektit në shumë prej 500€ në muaj”, thuhet në përgjigjet e përfaqësuesit të IMG-së Argjent Karai.

Xhelal Shaqiri për dy vite nuk i ka deklaruar 8000 euro që i ka marrë si pjesë e projektit të vizave. Këtë deklarim ai e ka bërë vetëm në vitin 2016-të dhe atë në rubrikën të dhëna të tjera.

“Në periudhën Tetor 2013 – Nëntor 2014, si dhe Mars – Qershor 2015, kam punuar si konsulent i jashtëm, me orar jo të plotë, për Internacional Management Group dhe jam kompensuar me 8000 euro”, kështu thuhet në deklarimin e Shaqirit për vitin 2016.

Regjistrin e deklarimit të pasurisë më 2014 mund ta gjen këtu dhe atë në vitin 2015 këtu.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare, është vepër penale.