Zyrtarët e Obiliqit-Marrëveshje për Pranim Fajësie

Tre nga katër zyrtarët e akuzuar të Komunës së Obiliqit lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorinë.

Këta zyrtarë akuzohen që së bashku kryen shpërdorim të pozitës, ose autoritetit zyrtar, ndërsa sipas shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës së Obiliqit ata janë suspenduar në momentin e ngritjes së aktakuzës.

Katër zyrtarët dolën sot para gjykatës, ndërsa 3 prej tyre pranuan fajësinë pas lidhjes së marrëveshjes për këtë çështje me prokurorinë.

Marrëveshja është nënshkruar më 8 dhjetor 2015, ndërsa përmban nënshkrimet e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinës, prokurores së rastit dhe 3 të akuzuarve.

Me këtë marrëveshje është përcaktuar që prokurori i shtetit t’ia bëjë me dije gjykatës se të akuzuarit Zejnullah Krasniqi, Haki Raqi dhe Bajram Paloji pajtohen të dënohen me burgim prej 5 muajve, në mënyrë që ai me pëlqimin e tyre të shndërrohet në dënim me gjobë siç është  përcaktuar me dispozita ligjore.

Gjykata pranoi sot këtë marrëveshje mes prokurorisë dhe 3 të akuzuarve.

Kryetari i trupit gjykues tha se lënda veçohet për të akuzuarën Ivana Spasiq.

Të akuzuarit ngarkohen se ia mundësuan Kompanisë NPP “Ardi” përfitimin material, edhe pse kjo firmë nuk kreu të gjitha punët në parkun rekreativ të Obiliqit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda akuzon zyrtarët komunalë Zejnullah Krasniqin, Haki Raqin, Bajram Palojin dhe Ivana Spasiqin se edhe pse e dinin se punët në këtë park nuk janë kryer sipas kontratës dhe aneks-kontratës, ia mundësuan pronarit të “Ardit” përfitimin e kundërligjshëm.

Zejnullah Krasniqi ishte menaxher i komisionit për pranimin e punimeve, ndërsa tre të akuzuarit tjerë anëtarë të tij.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit për shpërdorim detyre ose autorizimi në bashkëkryerje, në raportin përfundimtar të komisionit kishin shkruar se punët janë kryer si ishte paraparë me kontratë.

Seanca e radhës do të mbahet më 18 shkurt.

Seanca fillestare e këtij gjykimi u zhvillua në nëntor 2014.

http://kallxo.com/zyrtaret-e-komunes-se-obiliqit-deklarohen-te-pafajshem/