Foto: Kallxo.com

LDK largon një person nga lista për deputet

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se një person është larguar nga lista për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se në listë nuk do të jetë asnjë kandidat i cili ka pasur probleme me ligjin.

“Çdo kandidat i LDK-së që identifikohet se ka pasur dhe ka problem me ligjin do të nxirret nga lista për deputetë të LDK-së. Do të veprohet sipas ligjit edhe për z. Raqi,”, ka shkruar ustafa.

Kandidati Haki Raçi ishte kandidati i 108 në listën e publikuar nga LDK.

KALLXO.com kishte raportuar për Raçin i cili ishte njëri nga të akuzuarit në gjykimin e ish-kryetarit të Obiliqit, Mehmet Krasniqi, në lidhje me asfaltimin e disa rrugëve në këtë komunë.

Në vitin 2017, KALLXO.com ka raportuar se mbikëqyrës i këtyre punimeve kishte qenë i akuzuari, Haki Raqi, i cili akuzohet për kohën kur ka qenë  i angazhuar si menaxher i projektit në vitin 2013.

Tre nga katër zyrtarët e akuzuar të Komunës së Obiliqit, njëri prej tyre edhe Raqi, kishin lidhur marrëveshje për pranim fajësie me prokurorinë.

Me këtë marrëveshje ishte përcaktuar që prokurori i shtetit t’ia bëjë me dije gjykatës se të akuzuarit Zejnullah Krasniqi, Haki Raqi dhe Bajram Paloji pajtohen të dënohen me burgim prej 5 muajve, në mënyrë që ai me pëlqimin e tyre të shndërrohet në dënim me gjobë siç është  përcaktuar me dispozita ligjore.

Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda akuzon zyrtarët komunalë Zejnullah Krasniqin, Haki Raqin, Bajram Palojin dhe Ivana Spasiqin se edhe pse e dinin se punët në këtë park nuk janë kryer sipas kontratës dhe aneks-kontratës, ia mundësuan pronarit të “Ardit” përfitimin e kundërligjshëm.

Lista e plotë e kandidatëve të LDK-së për deputetë