Llogo e KDI-së, Foto: Facebook

Zhvillimet në veri të Kosovës, KDI kërkon nga deputetët të thërrasin seancë të jashtëzakonshme

Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar rreth zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Sipas KDI  protestat qytetare, dorëheqja e katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe, paralajmërimet për bojkot të institucioneve dhe shkëputjen e marrëdhënieve dhe komunikimit zyrtar me institucione të nivelit qendror, janë zhvillime të cilat kërkojnë vëmendjen e institucioneve të Kosovës, në këtë rast Kuvendit.

Sipas KDI-së, Kuvendi duhet të ftojë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të vend.

“Në bazë në Nenit 38 të Rregullores së Kuvendit lidhur me mbledhjet e jashtëzakonshme për shqyrtimin e çështjeve të ngutshme, KDI vlerëson nevojën që Kuvendi i Kosovës të ftoj një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në vend”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

Sipas tyre , kjo seancë e jashtëzakonshme duhet të shërbejë për një qasje të koordinuar konsensuale të skenës politike dhe institucionale për të parandaluar krijimin e vakuumit institucional.

KDI në një letër drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë thirrje për angazhim qoftë në kapacitet individual apo grupim parlamentar për të thirrur seancë të jashtëzakonshme.

Letra e KDI-së drejtuar deputetëve:

“I/E nderuar deputet/e, ne besojmë në vullnetin dhe angazhimin tuaj që t’i kontribuoni situatës aktuale me rekomandime dhe veprime konkrete ndaj institucioneve të vendit për të adresuar këto zhvillime dhe për të rikthyer normalitetin e jetës qytetare dhe asaj institucionale.

Prandaj duke ditur rolin dhe përgjegjësitë e deputetit dhe grupit parlamentarë, ne përmes kësaj letre direke ju bëjmë thirrje që të angazhoheni qoftë në kapacitet individual apo grupimit parlamentar për të thirrur seancën e jashtëzakonshme.

Ju falënderojmë për gatishmërinë tuaj për bashkëpunimin, me bindjen që sugjerimi ynë do të merret parasysh!”, thuhet në letrën e KDI-së, drejtuar deputetëve.