Logo e kompanisë "Z-Mobile" - Foto: facebook

‘Z-Mobile’: U Detyruam t’i Drejtohemi Arbitrazhit

Kompania “Z-Mobile” thotë se ka qenë e detyruar t’i drejtohet drejtësisë pasi ka parë se bisedimet me Telekomin e Kosovës nuk po ofronin zgjidhje për kontratën që nuk po respektohej.

Për këtë arsye, kjo kompani thotë se i është drejtuar  Tribunalit të Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) dy vjet më parë.

Tribunali i Arbitrazhit ka marrë vendim pak ditë më parë që për mosrespektim të kontratës ta dënojë Telekomin e Kosovës me më shumë se 26 milionë euro gjobë.

“Ne kemi shteruar të gjitha përpjekjet që të arrijmë me mirëkuptim dhe shpirt bashkëpunimi profesional respektimin e kontratës me partnerin tonë, Telekomin e Kosovës, gjë që fatkeqësisht nuk ka rezultuar me ndonjë sukses”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar sot nga “Z-Mobile”.

Sipas “Z-Mobile”, vendimi për shkelje të kontratës, i vërtetuar nga ICC, konsiston në katër pika themelore, për të cilat arbitrat ndërkombëtarë kanë gjetur shkeljet nga Telekomi i Kosovës: Mosfurnizimi me me SIM Kartela; Mosfurnizimi me numra; Mosofrimi i shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe Ulja e cilësisë së shërbimeve.

“Z-Mobile” thekson se para kolegjit të Arbitrazhit ka ofruar faktet e njëjta të cilat gjatë gjithë kohës ia ka prezantuar edhe përfaqësuesve të Telekomit të Kosovës.

“Mohimi i këtyre shërbimeve të parapara me kontratë e ka bërë të pamundur funksionimin normal të një kompanie që ofron shërbime të telekomunikacionit”, thotë kompania.

Po ashtu, “Z-Mobile” thekson se ndonëse ka vepruar në kushte të vështira në këto vite dhe me humbje tepër të mëdha, ka bërë përpjekje maksimale që të mos e mbyll kompaninë dhe nuk ka larguar asnjë punëtor nga puna.

KALLXO.com raportoi për dënimin e Telekomit të Kosovës nga Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit, dënim i cili, sipas drejtorit ekzekutiv, Agron Mustafa, mund ta çojë në falimentim këtë kompani.

http://kallxo.com/mustafa-telekomi-kosoves-rrezikon-te-falimentoje/

Një rast tjetër në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për të cilin Qeveria e Kosovës do të paguajë miliona euro është ai për pasaportat biometrike.

Rreth 5 milionë euro është dënimi që duhet t’i paguhet shtypshkronjës shtetërore austriake “Osterreichische Staatsdurckerei”.

http://kallxo.com/mpb-deklarohet-sot-per-gjoben-5-milioneshe/

Ndërsa, dje Qeveria e Kosovës ndau 150 mijë euro për të mbuluar koston e ekspertizës në çështjen e kontestit në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për privatizimin e PTK-së.

http://kallxo.com/qeveria-ndan-150-mije-euro-per-ekspertizen-ne-kontestin-axos/