Ymeri: Telekomi i Kosovës kurrë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë
Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka thënë se gjendja e Telekomit të Kosovës nuk ka qenë kurrë më e rëndë se tani.
Sipas Ymeri, kjo gjendje e ka një histori pasi qeverisjet e Kosovës kanë pasur të njëjtën qasje ndaj kësaj ndërmarrje publike.
“Kontratat me palët e treta, sikur ajo për krijimin e operatorit virtual Z Mobile, si dhe me kompanitë tjera që kryejnë shërbime për Telekomin, qartazi kanë shërbyer si mekanizëm për kanalizimin e të mirave publike në xhepa privat. Ky, për mua është definicioni i korrupsionit – vendimet e zyrtarëve publik të cilat i shërbejnë (vetëm) interesave partikulare”, ka shkruar Ymeri.
Ymeri më tej ka shtuar se Telekomi po përballet me një rrezik të ri, bllokimin e plotë të llogarive të ndërmarrjes nga një vendim gjyqësor për t’ia kthyer ‘Z Mobile’ një shumë prej 26 milionë euro. Por Ymeri ka thënë se këtu duhet të ndërhyjë shteti për ta shpëtuar ndërmarrjen publike.
“Duke qenë përfaqësues ekzekutiv i aksionarëve (që janë qytetarët e Republikës së Kosovës) Qeveria duhet të marrë masa që qëndrueshmëria financiare e telekomit të mos cenohet, dhe të krijohen kushtet për investime drejt konsolidimit e zhvillimit të ndërmarrjes”, ka thënë Ymeri.
Deputeti i PSD-së ka deklatuar se është e domosdoshme dhe urgjente që Telekomit t’i mundësohet hapësirë rimëkëmbjeje.
Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të deputetit Visar Ymeri:
GJENDJA NË TELEKOMIN E KOSOVËS KURRË NUK KA QENË MË E RËNDË
Mirëpo kjo gjendje e rëndë e ka një histori. Qeverisjet e njëpasnjëshme në Republikën e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, e deri në ditën e sotme e kanë pasur të njëjtën qasje karshi kësaj ndërmarrje të rëndësishme publike e strategjike.
Kontratat me palët e treta, sikur ajo për krijimin e operatorit virtual Z Mobile, si dhe me kompanitë tjera që kryejnë shërbime për Telekomin, qartazi kanë shërbyer si mekanizëm për kanalizimin e të mirave publike në xhepa privat. Ky, për mua është definicioni i korrupsionit – vendimet e zyrtarëve publik të cilat i shërbejnë (vetëm) interesave partikulare.
Duke e sjellur Telekomin buzë falimentimit, shitja e tij bëhet domosdoshmëri. Kështu një kompani publike me afarizëm të lartë pozitiv, shndërrohet gati se në aset të vdekur dhe pastaj shitet si e tillë. Në këtë mënyrë privatizimi nuk ndihmon as konsolidimin ekonomik e financiar të ndërmarrjes e as nuk e ndalë korrupsionin. Kjo mënyrë e shitjes vetëm e përshpejton korrupsionin.
Tash së voni Telekomi po përballet me një rrezik të ri (në kohë) por që i ka ndenjur përmbi kokë tash e një kohë të gjatë – bllokimin e plotë të llogarive të ndërmarrjes nga një vendim gjyqësor për t’ia kthyer Operatorit virtual Z Mobile një shumë prej 26 milionë euro. Këtu duhet të ndërhyjë shteti dhe ta shpëtojë ndërmarrjen publike. Duke qenë përfaqësues ekzekutiv i aksionarëve (që janë qytetarët e Republikës së Kosovës) Qeveria duhet të marrë masa që qëndrueshmëria financiare e telekomit të mos cenohet, dhe të krijohen kushtet për investime drejt konsolidimit e zhvillimit të ndërmarrjes. Po ashtu të kërkojë që në asnjë mënyrë të mos vazhdohet me kushtet e njëjta kontrata me Z Mobile dhe me kompanitë tjera (përveç kur flasim për shërbime të cilat e kanë për synim zhvillimin e ndërmarrjes e të cilat Telekomi nuk i ka mundësitë t’i kryejë vet), kostoja e të cilave e ka pamundësuar afarizmin pozitiv të ndërmarrjes.
Nga Komisioni hetimor për gjendjen në Telekom kemi kërkuar që ndërmarrja të mos ndërmarrë asnjë veprim drejt ripërtëritjes së kontratës me Z Mobile për sa kohë që kjo është objekt i hetimit parlamentar.
Është e domosdoshme dhe urgjente që Telekomit t’i mundësohet hapësirë rimëkëmbjeje.
Këtë synim e ka edhe Komisioni hetimor parlamentar në të cilin punën hetimore e kemi orientuar drejt identifikimit të shkaktarëve të kësaj gjendjeje dhe rekomandimeve se si të dilet nga ajo.
Ne jemi të vendosur në këtë mandat tonin. Mirëpo vazhdimi i kontratave e punësimeve pavarësisht punës së komisionit, e bën këtë punë të pakuptimtë. Ç‘kuptim ka një konstatim yni i nesërm se, ta zëmë, kontrata me operatorin virtual Z Mobile është e dëmshme për Telekomin ne aspektin financiar e zhvillimor (mbase edhe teknologjik) nëse një kontratë e tillë është ripërtërirë për edhe një periudhë të gjatë kohore? Në një rast të tillë komisioni vetëm konstaton pa kurrfarë mundësie që hetimi ynë ta ndihmojë zhvillimin e Telekomit.