Hulumtimi për librat e historisë | Foto: KALLXO.com

YIHR: Libra Historie me Mungesa për Vitet ‘90

Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut prezantoi të gjeturat e hulumtimit për përmbajtjen e teksteve shkollore të historisë në shkollat e Kosovës.

Sipas YIHR-së janë evidentuar pasaktësi dhe gjuhë e papërshtatshme në disa prej këtyre teksteve.

Debatin mbi këto të gjetura e hapi Bujar Dugolli, dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Ai tha se duhet të bëhen përmirësime të shumta në tekstet shkollore të historisë për të arritur sipas tij saktësi shkencore.

“Në këto libra të historisë duket thuajse asgjë nuk ka ndodhur përveç luftërave. Edhe te periudha bashkëkohore ashtu si dikur historia shkruhej për t’u shërbyer mbretërve edhe në kohën tonë shpesh historianët mbesin tek ajo që i përshtaten politikës apo liderëve të caktuar që janë pjesë e politikës së ditës” , tha Dugolli.

Ramadan Sokoli, nga YIHR-ja përmendi se mangësitë më të mëdha të informacioneve në tekstet e historisë janë rreth viteve të 90-ta.

“Ne kemi vërejtur se sa pak informacione marrin nxënësit sa i përket historisë, por edhe rreth të drejtave të njeriut. Ne kemi vërejtur që nxënësit nuk dinë mbi organizimin e protestave studentore, rezistencat paqësore e të tjera…”, tha Sokoli.

Në anën tjetër, Mrika Limani nga Instituti i Historisë së Kosovës arsyetoi në një masë të gjeturat e YIHR-së duke thënë se tekstet shkollore të historisë nuk paraqesin një analizë të thellë shkencore.

“Nuk ka të vërteta absolute historike që merren si të mirëqena. Tekstet shkollore shkruhen në vija të trasha dhe nënkuptohet se janë të thjeshtëzuara. Tekstet shkollore janë produkt i kurrikulës së hartuar nga MASHT-i dhe paraqesin politikë shtetërore, pra është përgjegjësi e MASHT-it”, tha Limani.

Gazeta Jeta në Kosovë vitin e kaluar kishte realizuar një analizë mbi kundërthëniet që paraqesin tekstet shkollore të historisë për nxënësit serbë dhe ata shqiptarë.

Historia Shkollore në Kosovë dhe Serbi ‘Mjegullon’ Vitet e 90-ta