Foto: Jeton Zulfaj, Twitter

Publikoi hartën e Kosovës me flamurin e Serbisë, reagon këshilltari i Kurtit dhe organizata YIHR ndaj anëtarit të RYCO-s

Anëtari i Bordit të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor – RYCO, Jagos Stojanoviq, dy ditë më parë ka publikuar një fotografi në rrjetin social “Instagram”, ku shihet ai duke mbajtur një flamur me hartën e Kosovës, të mbuluar me flamurin e Serbisë me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

Jeton Zulfaj, këshilltari Politik i kryeministrit Albin Kurti, dhe Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut – YIHR kanë reaguar lidhur me këtë fotografi të publikuar nga Stojanoviq.

Zulfaj ka kërkuar shkarkimin e tij dhe dënimin e këtij akti.

“I frymëzuar nga suksesi franko-gjerman i pajtimit dhe bashkëpunimit, qëllimi i RYCO-s është të bashkojë të rinjtë në të gjithë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të kontribuojë drejt pajtimit. Por ky imazh thotë shumë: Një i ri serb që në vend të paqes dhe pajtimit, nxit urrejtje. Është një akt i neveritshëm, por jo për t’u habitur” – ka shkruar Zulfaj.

Ai ka kërkuar edhe nga Komisionerja e BE-së për Arsimin, Rininë, Sportin dhe Kulturën, Mariya Gabriel, që ta dënojë veprimin e Stojanoviqit.

“Në fund të fundit, çfarë mund të pritet nga të rinjtë në Serbi, kur lidershipi dhe shteti i tyre ende mësojnë urrejtje ndaj Kosovës në shkolla, në kisha dhe në TV çdo ditë. Ne e dënojmë këtë akt të urryeshëm dhe të neveritshëm.” – ka shtuar Zulfaj.

YIHR po ashtu ka kërkuar nga RYCO që të veprojë menjëherë lidhur me rastin, duke e konsideruar atë si një nga mekanizmat kyç në procesin e ndërtimit të një të ardhmeje paqësore.

“Si një rrjet që i është përkushtuar fuqishëm pajtimit në rajon për gati 20 vjet, Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut i kërkon RYCO-s të ndërmarrë veprime të menjëhershme kundër përfaqësuesit të të rinjve të RYCO nga Serbia, Jagos Stojanoviç, për deklaratën e tij problematike, e cila minon drejtpërdrejt parimet të pajtimit dhe bashkëpunimit mes të rinjve në rajon” – thuhet në reagimin e tyre.

YIHR gjithashtu i ka kujtuar RYCO-s se shoqëria civile në Serbi, veçanërisht KOMS, kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me zgjedhjen e Jagos Stojanoviqit si përfaqësues të të rinjve, për shkak të përfshirjes së tij të drejtpërdrejtë në punë në institucionet zyrtare serbe.

RYCO është një mekanizëm institucional që funksionon në mënyrë të pavarur, i themeluar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, që synon të promovojë frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon përmes programeve të shkëmbimit të të rinjve.