Hovenier: Kushtetuta e Kosovës përfshin dispozitat më moderne për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se të drejtat e njeriut janë qendra e agjendës e politikës së brendshme dhe të jashtme të presidentit të ShBA-ve, Joe Biden.

Kështu deklaroi ai në fjalimin e tij gjatë konferencës hapëse “Luftimi i gjuhës së urrejtjes: Obligimet e shtetit”.

“Të drejtat e njeriut janë qendra e agjendës e politikës së brendshme dhe të jashtme të presidentit Biden. Aty përfshihen përpjekjet e forta për të zgjeruar mbrojtjen kundër, diskriminimit, stigmës dhe dhunës, promovimin e përfshirjes ekonomike dhe sociale dhe avancimin e barazisë gjinore dhe racore”- tha Hovenier.

Ambasadori theksoi se janë krenarë që kanë përkrahur Kosovën kur është draftuar Kushtetuta me përpjekje që të përfshihen dispozitat më moderne për të siguruar mbrojtjen e këtyre të drejtave.

“Jemi krenar që kemi përkrahur popullin e Kosovës kur kanë draftuar Kushtetutën me përpjekje të përfshijnë  filozofitë dhe qasjet dhe dispozitat më moderne për të siguruar mbrojtjen e këtyre të drejtave. Më lejoni të citoj nga Kushtetuta e Kosovës ‘Të drejtat e njeriut dhe liritë fundamentale janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës. Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut’”- ka thënë ai.

Më tej, Hovenier u shpreh se duhet të avokojnë, avancojnë dhe mbështesin të drejtat e njeriut për të gjithë njerëzit.

“Besoj se ne duhet të avokojmë dhe të avancojmë dhe mbështesim të drejtat e njeriut për personat e komunitetit LGBTQI+, personat me nevoja të veçanta, pjesëtarë të racës, etnisë dhe minoriteteve fetare, gjithsesi edhe të vajzave dhe grave, popullsisë së margjinalizuar dhe njerëzve që janë në situata të cenueshme, kjo është urgjente në këtë kohë”- deklaroi Hovenier.

“SHBA do vazhdojë të mbështesë reformat e sundimit të ligjit në Kosovë. Gjithashtu do vazhdojmë rrugëtimin tonë çdo ditë për të formuar një union perfekt, mirëpo këto reforma këtu aty, janë mjete kyçe për të avancuar të drejtat e njeriut pasi sundimi i ligjit është themelorë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve”- shtoi ai.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) po mban konferencën “Luftimi i gjuhës së urrejtjes: Obligimet e shtetit”.