Vendoset pllaka që shenjëzon Memorialin për Personat e Pagjetur në Kosovë

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) ka organizuar një aksion simbolik para Memorialit të Personave të Pagjetur, duke shpalosur pllakën e cila e shenjëzon këtë memorial.

Marigona Shabiu nga YIHR ka thënë se memoriali që ishte vendosur para disa viteve nuk e ka pasur një identifikim të duhur se kujt i dedikohet.

“Edhe këtë vit ne do të shënojmë këtë datë me një aksion, ku këtë vit do të bëjmë shpalosjen e pllakës e cila e shenjëzon Memorialin e Personave të Pagjetur në Kosovë. Ky memorial i vendosur para disa vitesh këtu në sheshin “Ibrahim Rugova”, asnjëherë nuk e ka pasur një identifikim të duhur se çka paraqet ky memorial e kujt i dedikohet”- tha Shabiu.

Shabiu tregon se pllaka e vendosur është shkruar në pesë gjuhë.

“Ne si organizatë kemi menduar se është shumë e rëndësishme që ky memorial të ketë dedikimin e duhur, e të shkojë në respekt të të ghithë personave të zhdukur. Pllaka është e shkruar në pesë gjuhë, në gjuhët zyrtare në Kosovë dhe në gjuhen turke, rome dhe angleze”- ka thënë Shabiu.

Ajo vlerësoi se personat e pagjetur janë pjesë shumë e rëndësishme e të kaluarës dhe kujtesës kolektive.

“Personat e pagjetur janë pjesë shumë e rëndësishme e të kaluarës sonë, kujtesës sonë kolektive dhe për këtë arsye sot mirëpo edhe çdo ditë tjetër gjatë vitit do të vazhdojmë ta ngrisim zërin për këta persona që të zbardhet e vërteta”- u shpreh Shabiu.

Më tej, Shabiu thekson se aksioni është kritikë për institucionet publike që nuk bëjnë mjaftueshëm për viktimat civile gjatë luftës në Kosovë.

“Aksioni është kritikë për institucionet publike që nuk bëjnë mjaftueshëm për viktimat civile gjatë luftës në Kosovë përfshirë edhe të pa gjeturit, duke fillu prej mirëmbajtjes së memorialëve dhe vendosjen e tyre në hapësira të rëndësishme, të dukshme”- deklaroi ajo.

Më 27 prill në Kosovë shënohet është Dita e të Zhdukurve me Dhunë në luftën e fundit në Kosovë, ku ndër të tjera përkujtohet edhe masakra në Mejë të Gjakovës, në të cilën në vitin 1999 u vranë rreth 377 shqiptarë, përfshi pleq e fëmijë.